Diabeti i Tipit 5, klasifikim i ri zyrtar nga IDF
Prof. Dr. Venera Berisha-Muharremi, Interniste-Endokrinologe-Diabetologe ka bërë të ditur se “Diabeti i tipit 5” është njohur së fundmi zyrtarisht nga Federata Ndërkombëtare e Diabetit (IDF) si një formë e veçantë e diabetit, e cila lidhet drejtpërdrejt me kequshqyerjen (nënushqyerjen) kronike, sidomos gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës.
Në njoftimin e dr. Muharremi bëhet e ditur se ky lloj diabeti vërehet kryesisht tek individë të dobët, me histori të mungesës së ushqimit.
Karakteristikat kryesore të Tipit 5:
* Shkaku: Kequshqyerja e rëndë dhe afatgjatë dëmton pankreasin dhe ul prodhimin e insulinës.
* Ndjeshmëria ndaj insulinës: Mbetet normale — ndryshe nga tipi 2, nuk ka rezistencë ndaj insulinës.
* Ketoacidoza: Zakonisht nuk shfaqet, në dallim nga tipi 1.
* Autoantitrupat: Nuk ka autoantitrupa pankreatikë, pra nuk është formë autoimune.
* Prevalenca: Më i përhapur në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesme, ku kequshqyerja është problem i zakonshëm.
Pse quhet “Tipi 5”?
Sepse është një kategori krejtësisht e veçantë, që nuk i përket tipit 1, tipit 2, klasës së diabetit gestational apo formave të tjera që hyjnë në klasën e katërt.
Është diabet i lidhur drejtpërdrejt me nënushqyerjen kronike, me karakteristika klinike unike.
Tek ne, në disa raste, është keqinterpretu kjo formë si Diabeti Autoimun Latent tek të Rriturit (LADA) që është një formë e diabetit me etiologji autoimune, e ngjashme me diabetin e tipit 1, por me një përparim më të ngadaltë dhe paraqitje më të vonshme.
Klasifikimi për Diabetin tip 5, u miratua zyrtarisht nga IDF në këtë vit, 2025, dhe synon të përmirësojë diagnostikimin, trajtimin dhe kërkimet për këtë gjendje shpesh të neglizhuar.
Për më shumë informacion, vizitoni The Lancet:
Classifying a distinct form of diabetes in lean individuals with a history of undernutrition: an international consensus statement – The Lancet Global Health.

