16:54 / E Premte, 22 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Diabeti, si mund të mbahet nën kontroll për të shmangur komplikimet

Një në dy persona nuk e di që ka diabet. Nga viti në vit hidhet një hap më shumë në drejtim të diagnostikimit të hershëm të kësaj sëmundjeje apo edhe menaxhimit të saj, por kjo nuk e tjetërson situatën.

Numri në rritje i personave që diagnostikohen rishtazi është një tregues “kokëfortë”. Mjekja endokrinologe, Marjeta Kermaj, thotë se kjo rritje i faturohet mënyrës së jetesës. “Sot, në mbarë botën, dhe pas vitit 1990 edhe në vendin tonë, vihet re përhapja e obezitetit, një epidemi kjo që lidhet ngushtë me shtimin e diabetit, aq sa këto dy epidemi po quhen sot me një emër të përbashkët Diabesiti. Obeziteti është pasojë e kombinimit të dy elementeve të rëndësishme të konsumimit të ushqimeve me shumë kalori dhe jetës sedentare.

414

Faktorë të tjerë favorizues janë faktorët gjenetikë, rritja e moshës mesatare të jetëgjatësisë, streset kronike etj.”. Në një intervistë dhënë për gazetën, doktoresha na njeh edhe me mënyrën sesi mund të mbahet në kontroll kjo sëmundje për të parandaluar pasojat apo ato që njihen si komplikacionet që diabeti mund të sjellë nëse nuk trajtohet në kohë dhe ashtu siç duhet.

Doktoreshë, nga viti në vit ka një rritje të numrit të personave që diagnostikohen me sëmundjen e diabetit. Parashikohet po ashtu që numri i rasteve të reja të njohë rritje. Kujt i faturohet kjo?

Sot, sëmundja e diabetit po përhapet në mbarë botën, përfshirë edhe vendin tonë, me ritme shumë të shpejta. Po t’u referohemi të dhënave statistikore, në vitin 1980 në mbarë botën njiheshin 108 milionë adultë mbi 18 vjeç me diabet mellitus, por në 2014 ky numër u katërfishua në 422 milionë dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, parashikohet që në 2045 ky numër të arrijë në 645 milionë.

E njëjta situatë po ndodh dhe në vendin tonë që pas vitit 1990. Sot, në vendin tonë. sipas ISHP (Institutit të Shëndetit Publik). janë diagnostikuar me diabet mellitus 78470 pacientë. Duke u nisur nga fakti që 1 në 2 persona nuk e di që ka diabet, ky numër është dyfish. Ju pyetët se kujt i faturohet kjo gjë? I faturohet mënyrës së jetesës. Sot, në mbarë botën dhe pas vitit 1990, edhe në vendin tonë, vihet re përhapja e obezitetit, një epidemi kjo që lidhet ngushtë me shtimin e diabetit, aq sa këto dy epidemi po quhen sot me një emër të përbashkët, Diabesiti.

Obeziteti është pasojë e kombinimit të dy elementeve të rëndësishme të konsumimit të ushqimeve me shumë kalori dhe jetës sedentare. Ajo që përbën një tjetër alarm për shëndetin publik është përhapja e obezitetit te fëmijët dhe për pasojë përhapjen e diabetit tip 2 edhe te fëmijët (diabeti tip 2 haset kryesisht te moshat e rritura mbi 35-40 vjeç). Faktorë të tjerë favorizues janë faktorët gjenetikë, rritja e moshës mesatare të jetëgjatësisë, streset kronike etj.

A janë mjaftueshëm të ndërgjegjësuar qytetarët mbi sëmundjen, masat për parandalim, por edhe për komplikacionet që mund të japë nëse nuk trajtohet kjo sëmundje?

Dekadën e fundit po punohet shumë për ndërgjegjësimin e popullatës në përgjithësi dhe personave me diabet në veçanti për rëndësinë e kapjes në kohë të kësaj sëmundje dhe mbajtjes sa më të ekuilibruar të saj për të parandaluar komplikacionet kronike. Muaji nëntor është muaji i ndërgjegjësimit rreth diabetit dhe 14 nëntori është Dita Botërore e Diabetit. Gjatë këtij muaji, shoqatat e diabetit, Ministria e Shëndetësisë, mjekët endokrinologë, media vizive dhe e shkruar, bëjnë një punë të madhe për këtë qëllim. Mendoj që falë kësaj pune është rritur ndërgjegjësimi jo vetëm për kontroll periodik mjekësor për ta kapur në stadet e hershme diabetin, por dhe rreth mënyrës së shëndetshme të jetesës. Pavarësisht arritjeve, ende mbetet shumë për të bërë për t’i thënë stop kësaj sëmundjeje me përmasa epidemike.

Cilat janë informacionet bazë që duhet të dinë qytetarët mbi diabetin, veçanërisht ata që vuajnë nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese?

Njihen kryesisht 3 tipe diabeti. 1-Diabeti tip 1 ose i moshave të reja nën 35 vjeç. Ky tip diabeti përbën 5 deri 10 % të popullatës diabetike. Shkaktohet nga mungesa absolute e insulinës, pra, pankreasi nuk prodhon aspak insulinë dhe për pasojë ky tip diabeti fillon me shenja të shprehura të rritjes së sheqerit në gjak, zakonisht për një periudhë kohe 2-3 javore, që e detyrojnë pacientin të shkojë te mjeku dhe të bëjë analizat.

2- Diabeti tip 2 ose diabeti i moshave të rritura, që përbën edhe 90-95% të popullatës diabetike. Shkaktohet nga sekretimi në sasi të pamjaftueshme e insulinës ose nga veprimi joadekuat i saj në uljen e sheqerit në gjak, e thënë ndryshe, diabeti tip 2 shkaktohet nga një deficiencë relative e insulinës. Duhet të dihet nga të gjithë që diabeti tip 2 është një sëmundje e heshtur, mund të bashkëjetojë me një individ për muaj apo vite me radhë pa asnjë shenjë, pasi deficienca e insulinës është relative dhe vjen gradualisht me pasojë rritjen graduale të glicemisë.

Fillimisht kalon në stadin e paradiabetit, i cili mund të zbulohet vetëm në sajë të analizave të gjakut. Shenjat mund të bëhen të dukshme kur sëmundja ka avancuar shumë dhe glicemitë janë shumë të larta. Disa nga këto shenja janë: etje e shprehur dhe urinim i shpeshtë me sasi të bollshme, sidomos natën, këputje trupi që sa vjen dhe shtohet. Mund të kenë oreks të shtuar, por me rënie në peshë, turbullim shikimi, ndjenjë djegie të shputave të këmbëve, sidomos gjatë natës etj.

Ndodh që sëmundja mund të zbulohet në fazën e komplikacioneve të diabetit siç janë goditjet në zemër, goditjet në tru, plagët në këmbë, dëmtime të syve etj. 3-Diabeti i shtatzënisë, është diabeti që diagnostikohet për herë të parë gjatë shtatzënisë, zakonisht 3-mujorin e dytë ose të tretë të shtatzënisë.

Është parë që dhe ky tip diabeti është shtuar shumë. Çdo grua duhet të njohë rrezikun e shfaqjes së diabetit gjatë shtatzënisë, sidomos ato që kanë anëtare të familjes me diabet mellitus apo kanë pasur lindje të mëparshme të fëmijëve me peshë trupore mbi 4 kg, pasi ai mund të parandalohet në sajë të një mënyre jetese të shëndetshme para dhe gjatë shtatzënisë. Diabeti është një sëmundje kronike, e cila mjekohet dhe mund të mbahet në ekuilibër me qëllim parandalimin e komplikacioneve kronike.

Personi që preket nga diabeti duhet të kuptojë që është ai aktori kryesor në mjekimin e diabetit, pasi dy elementet bazë që kanë rëndësi në mjekimin e diabetit janë dieta e shëndetshme dhe jeta aktive. Nëse një pacient me diabet mëson si të bashkëjetojë me diabetin dhe ta mbajë atë të ekuilibruar, nuk ka për të pasur asnjë komplikacion kronik të tij.

Një diabet quhet i ekuilibruar kur: Glicemia esëll mbahet në vlerat 90-130 mg/dl, glicemia 2 orë pas ushqimit 30-50 mg/dl më shumë se para ushqimit por mos ta kalojë 180mg/dl dhe HbA1C 6.5-7% e cila tregon mesataren e glicemisë 3-mujorin e fundit dhe duhet të bëhet në laborator 1 herë në 3 muaj. Çdo person me diabet duhet të ketë gleukometër personal, me qëllim që të vlerësojë gliceminë esëll dhe 2 orë pas buke, e rëndësishme kjo që ai të modifikojë dhe dietën, mjekimin në varësi të glicemive, ndaj personi me diabet është dhe aktori kryesor në mjekimin dhe ekuilibrimin e diabetit. Në trajtimin e diabetit ka shumë rëndësi dhe trajtimi i yndyrave të larta në gjak si dhe mbajtja në normë e vlerave të tensionit arterial.

Së fundmi, doktoreshë, a mund të ndani disa këshilla me lexuesit?

Në radhë të parë këshilloj të bëhen analizat e gjakut në mënyrë periodike, të paktën 1 herë në vit, ku midis të tjerave të vlerësohet dhe glicemia, me qëllim që diabeti tip 2 të kapet në stadet e hershme, kur ai nuk ka dhënë asnjë dëmtim në trup. Të respektohet dieta e shëndetshme, me sa më pak brumëra apo ushqime me kalorazh të lartë si fast food-et, ushqimet e industrializuara, lëngjet e ëmbla, ëmbëlsirat, yndyrat shtazore dhe të shtohen perimet dhe frutat e stinës, të shmanget alkooli dhe të pihen 6- 8 gota ujë në ditë. Të zgjidhet mënyrë e shëndetshme e gatimit të ushqimeve si: zierja, pjekja apo avulli. Të shmangen sa më shumë të skuqurat, si dhe të ndalohet duhanpirja.

Sipas studimeve të ndryshme është vlerësuar që një stil jetesë i shëndetshëm, ul riskun për shfaqjen e diabetit me 58%. Të luftohet jeta sedentare. Të bëhen të paktën 30 minuta ecje në ditë apo 150 minuta në javë. Të matet HbA1c 1 herë në 3 muaj. Të kontrollohen çdo ditë këmbët para gjumit për të zbuluar në kohë plagët e vogla të pandjeshme, të cilat, po të mos trajtohen që në fillim, mund të çojnë në përkeqësim të tyre dhe nëse ecuria e tyre nuk do të jetë e mirë, mund të çojë deri në amputim të këmbës. Të bëhen kontrollet periodike të syve tek okulisti, të vlerësohet herë pas herë funksioni i veshkave, zemrës të mbahet higjiena e gojës dhe të bëhen kontrollet periodike te dentisti, pasi shëndeti i gojës ndikon në ekuilibrin e diabetit.