75 Mall Live Search
14:52 / E Shtunë, 24 Korrik 2021 / B O

Dialogu me Serbinë, LDK kërkon koordinim më të madh me SHBA

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga qeveria një koordinim dhe përfshirje më aktive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun me Serbinë. Gjithashtu të shfrytëzohet momenti i mirë i krijuar me presidentin Joe Biden, për të shkuar drejt marrëveshjes finale, pasi në të kundërt një e tillë nuk do të arrihet kurrë.

“Ajo që është me rëndësi, që unë shpresoj dhe i bëjë thirrje ta bëjë Qeveria e Kosovës që procesin e dialogut ta zhvillojë në koordinim të plotë me ShBA-të, pa rolin e të cilëve ne fatkeqësisht as nuk do të arrijmë marrëveshje me Serbinë, por as nuk mund të zbatonim një marrëveshje që mund të arrinim. Kosova s’e ka luksin e as komoditetin që të vazhdojë dialogun në pafundësi sepse për neve është barrë e rëndë.

Ne kemi fatin e mirë historik, por edhe tani veçanërisht që në SHBA kemi një president të ri të zgjedhur, Joe Biden, një mik i kamotshëm i Kosovës i shqiptarëve në përgjithësi. Ai në letrat e para zyrtare që i ka dërguar krerëve të institucioneve tona, ka thënë se presin një marrëveshje gjithëpërfshirëse finale që ofron njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është synimi, unë besoj që do t’i shërbente interesit nacional të Kosovës që delegacioni në Bruksel dhe çfarëdoformati të fokusohet në arritjen e këtij qëllimi.”, u shpreh Faton Bislimi, anëtar i kryesisë së LDK.