Dialogu sjell në Kosovë zv/sekretarin amerikan të Shtetit
Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, David Hale, do të qëndrojë më 8 dhe 9 mars në Beograd dhe në Prishtinë për të nxitur te dyja palët që të ulen në tryezën e bisedimeve për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
Në një njoftim të departamentit amerikan të
shtetit, thuhet se “në Beograd ai do të bisedojë me zyrtarët serbë marrëdhëniet
dypalëshe dhe do të nxis kthimin në tryezën e bisedimeve për normalizimin e
marrëdhënieve me Kosovën. Ai do të diskutoje edhe me drejtuesit e shoqërisë
civile për çështje rajonale e globale, përfshirë ndikimin rus dhe kinez në
Ballkanin Perëndimorë”.
Më pas më 9 mars në Prishtinë, ai do të takojë udhëheqësit e lartë të Kosovës
“për të nënvizuar mundësinë historike për të arritur një marrëveshje të plotë
të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe për të kërkuar masa për të
arritur një zgjidhje”.
Zoti Hale i cili më parë qëndron në Londër dhe në Ukrainë, është zyrtari më i
lartë amerikan që kohët e fundit viziton Kosovën për të nxitur autoritetet që
të hapin rrugën për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, të cilat janë pezulluar
për shkak të kushtëzimit të tyre nga Beogradi me pezullimin e tarifave ndaj
mallrave serbe, që u vendosën nga qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të
kaluar.
Javën që lamë pas, dy zyrtarë të lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë,
qëndruan për dy ditë në Kosovë për të siguruar pezullimin e tarifave ndërsa
paralajmëruan shtimin masave ndëshkuese nëse Kosova vazhdon të refuzojë
kërkesat e tilla.
Kërkesat amerikanë kanë nxitur përplasje të brendshme në Kosovë ndërmjet atyre
që ngulin këmbë të dëgjohen këshillat amerikane dhe atyre që pohojnë se tarifat
duhet të pezullohen vetëm me garanci për përfundimin e bisedimeve me Serbinë me
njohje të ndërsjellë.