Dialogu, vizita e von der Leyen, gjykimi në Hagë/ Këto janë ngjarjet më të rëndësishme të javës së ardhshme

Java e ardhshme do të shoqërohet me një mori aktivitetesh me rëndësi të veçantë.
Nga e hëna e deri të enjten do të vijojë procesi gjyqësor në Hagë në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, rast ky i rikthyer pas dy javësh pauzë.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dalin përpara trupit gjykues, me seancën e së hënës që do të fillojë në ora 13:00, dhe të tjerat që vijojnë çdo ditë nga ora 09:00. Gjatë kësaj jave pritet të dëgjohen të tjerë dëshmitarë dhe deklarime avokatësh.
Më 24 tetor, në Bruksel do të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç do të takohen në takime dypalëshe, teksa akoma nuk dihet nëse të njëjtit do të pranojnë të ulën në tryezën e dialogut për të biseduar lidhur me çështjet relevante në agjendën e takimit, raporton IndeksOnline.
Takimi në kuadër të dialogut është konfirmuar nga zëdhënësi europian, Peter Stano.
Më 17 shtator kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë zhvilluar dy herë bisedime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili nuk arriti t’i bindte ata për një takim trepalësh në Bruksel.
Të shtunën e 26 tetorit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të qëndrojë në Kosovë, në kuadër të turit ballkanik që do të bëjë përgjatë javës së ardhshme.
Sipas paralajmërimeve nga KE-ja, gjatë vizitës në rajon Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që BE-ja po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.
Presidentja e KE-së pritet të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti./IndeksOnline/