19:22 / E Martë, 18 Qershor 2024 / k.v

Dibrani pret në takim homologun nga Shqipëria, flasin për sigurinë në institucionet korrektuese

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës,  Ismail Dibrani, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Drejtorin e Burgjeve të Shqipërisë, Klevis Qose. Pjesë e këtij takimi ishin edhe Këshilltari Global i ICITAP-it për Kundërterrorizëm, Bill Sage, si dhe zyrtarë të lartë nga ICITAP, INL, burgjet e Shqipërisë dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK).

Gjatë takimit, drejtuesit diskutuan mbi çështjet e sigurisë në institucionet korrektuese, duke ndarë përvojat dhe praktikat më të mira në menaxhimin e burgjeve. Ata shprehën përkushtimin e tyre për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e korrektimit dhe për të shkëmbyer eksperienca të vlefshme që mund të kontribuojnë në përmirësimin e sistemeve korrektuese në të dyja vendet.

Po ashtu, gjatë takimit theksuan rëndësinë e një qasjeje të koordinuar për të adresuar sfidat e përbashkëta, duke përfshirë menaxhimin e sigurisë, rehabilitimin e të burgosurve dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.

Gjithashtu, diskutuan për mënyrat e përmirësimit të procedurave dhe politikave më të mira korrektuese për të garantuar një sistem më efektiv dhe më të avancuar.

Në përfundim të takimit, të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar takimet në të ardhmen, me qëllim të ndarjes së njohurive dhe promovimit të praktikave më të mira që do të sjellin përfitime të ndërsjella për të dy vendet.