Dielli lind në Kiev pas një nate të gjatë luftimesh

Dielli ka lindur në Kiev pas një nate të gjatë luftimesh mes pushtuesit rus dhe ushtrisë ukrainase që po kërkojnë të mbrojnë kryeqytetin. Shpërthime dhe të shtëna armësh janë dëgjuar deri në ora 06:00 të mëngjesit.
Mes orës 2 deri në 4 të mëngjesit, ekipet e CNN raportuan se kishin dëgjuar shpërthime të forta në perëndim dhe në jug të qytetit. Menjëherë pas kësaj, videot nga dëshmitarët okularë treguan shpërthime në veriperëndim të qytetit.
Ndërkohë, ushtria ukrainase thotë se ka arritur të shkatërrojë dy mjete, 2 kamionë me municion si dhe një tank rus, pretendime këto që nuk janë konfirmuar nga CNN nëse kanë ndodhur me të vërtetë.
Ndërsa, Ministria e Brendshme e Ukrainës paralajmëroi qytetarët në kryeqytetin Kiev se luftimet po zhvillohen në rrugë.
“Në rrugët e qytetit tonë po zhvillohen luftime aktive, ju lutemi të qëndroni të qetë dhe të jeni sa më të kujdesshëm! Nëse jeni në bodrume, mos u largoni nga aty. Nëse jeni në banesa – mos iu afroni dritareve, mos dilni në ballkone. Fshihuni brenda, për shembull në banjë, dhe mbulohuni me diçka që do të parandalojë lëndimin nga fragmentet e plumbave. Nëse dëgjoni sirena – shkoni menjëherë në vendstrehime të sigurta!”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie në Facebook.
Myhailo Podoliak, një këshilltar i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, tha herët të shtunën se forcat ruse ishin përpjekur të “fusin tërë arsenalin e pajisjeve në qytetin e Kievit”.
Por,sipas tij, aktualisht situata në periferi dhe rrethinë është nën kontroll.
Duke folur në televizionin ukrainas, ai tha se kishte “grupe të veçanta sabotimi dhe zbulimi” në qytet, por se policia dhe njësitë e vetëmbrojtjes territoriale “po punojnë në mënyrë aktive kundër tyre”.