Digjet një shtëpi në Savrovë/ Dëmet materiale të mëdha, s’ka të lënduar

Një zjarr ka shpërthyer në orët e hershme të mëngjesit në një shtëpi banimi në fshatin Savrovë të Suharekës. Sipas konfirmimit nga autoritetet, flakët janë lokalizuar dhe situata është tashmë nën kontroll, transmeton IndeksOnline.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka deklaruar për media: “Me datë 12.05.2025, rreth orës 03:20 është raportuar një incident zjarri në fshatin Savrovë, Suharekë. Raportohet se ka marrë flakë një shtëpi. Dëmi material i shkaktuar është i konsiderueshëm, por të lënduar nuk ka”.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë e zjarrfikësve dhe policisë, të cilët kanë ndërhyrë me kohë për të shmangur përhapjen e zjarrit dhe për të siguruar zonën.
Shkaqet e shpërthimit të zjarrit ende nuk dihen dhe pritet që hetimet të zbardhin rrethanat e plota të incidentit./IndeksOnline/

