Digjet “Syri i Kaltër”, flakët në parkun natyror vijojnë, evakuohen 500 turistë

Zjarri që përfshiu zonën natyrore të Syrit të Kaltër në Sarandë pasditen e djeshme ka vijuar edhe gjatë natës, ndonëse me intensitet më të ulët.
Mëngjesin e sotëm, ndërhyrja për shuarjen e flakëve po kryhet nga ajri me një avion “Canadair” dhe një helikopter, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Për shkak të rrezikut të madh, autoritetet kanë evakuuar mbi 500 turistë nga parku natyror, ndërsa është mbyllur përkohësisht qarkullimi në segmentin Muzinë–Sarandë, pasi flakët kanë mbërritur deri në rrugë.
Situatë problematike raportohet edhe në rrugën Bistricë–Muzinë, raporton A2CNN.
Ndërkohë, në fshatin Pecë, vatra e zjarrit është neutralizuar gjatë natës, ndërsa në bashkinë Finiq situata mbetet alarmante dhe në fshatin Leshnicë e Poshtme, disa banesa janë shkrumbuar nga zjarri.
Prej ditësh flakët po përhapen nga një fshat në tjetrin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Një tjetër vatër e madhe u regjistrua pasditen e djeshme në Poliçan të Beratit, ku zjarri përfshiu sipërfaqe të mëdha pyjore në zonat malore dhe po i afrohej me shpejtësi banesave.
Ministria e Mbrojtjes, Emergjencat Civile dhe strukturat vendore të të gjitha bashkive të vendit janë në gatishmëri të plotë dhe po bashkëpunojnë ngushtë me forcat zjarrfikëse për të menaxhuar zjarret në territor./Indeksonline/