75 Mall Live Search
11:38 / E Martë, 08 Nëntor 2022 / A. M.

Diplomati amerikan ‘godet’ Listën Serbe: Kontrolloheni nga Qeveria e Serbisë!

Ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, beson se thelbi i tensionit mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë targat, por, siç tha ai, refuzimi i autoriteteve serbe për të njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës pothuajse 25 vjet pas luftë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Zërit të Amerikës në gjuhën serbe – diplomati amerikan në pension tha se është në interes të qytetarëve të nacionalitetit serb që përfaqësuesit e tyre të kthehen në institucionet e qeverisë së Kosovës.

“Zyrtarët e pakicës serbe kontrollohen nga Qeveria e Serbisë, si dhe pjesëmarrja e tyre në institucionet e Kosovës – për të kundërshtuar qeverinë e Kosovës”, u shpreh ai.

Diplomati në pension, i cili shërbeu në Kosovë nga mesi i vitit 2015 deri në mesin e vitit 2018, shpjegon rrethanat në të cilat përfaqësuesit politikë të serbëve nga veriu i Kosovës – nga radhët e Listës Serbe, vendosën të pezullojnë pjesëmarrjen e tyre në institucionet e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po bëjnë thirrje për de-përshkallëzimin e tensioneve, duke kërkuar që përfaqësuesit serbë të kthehen në institucionet e Kosovës dhe që Kosova të respektojë zotimet që ka marrë – përfshirë krijimin e Asociacionit.

“Tensionet nuk kontribuojnë në përparimin e dialogut”, vazhdoi ambasadori Delaëie.

“Pushtimi i pajustifikuar i Rusisë në Ukrainë ngriti tensionet në të gjithë Evropën. I takon qeverive të Serbisë dhe Kosovës që të punojnë në uljen, jo rritjen e tensionit. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor, në Kosovë dhe Serbi, meritojnë një të ardhme evropiane. Ata mund ta arrijnë atë vetëm nëse liderët e të dy vendeve vendosin synimin për paqen, zhvillimin politik dhe ekonomik”, beson Delawie.

Ai e sheh të arritshme iniciativën e bashkësisë ndërkombëtare, të Bashkimit Evropian, të SHBA-së dhe të vendeve të Kuintit për shtyrjen e procesit të ri-regjistrimit për dhjetë muaj, të cilin Qeveria e Kosovës nuk e pranoi.