Disa lojtarë të huaj që luajnë në Kosovë nuk figurojnë as në ‘Google’
Futbolli i Kosovës në vitet e fundit është ‘pushtuar’ nga futbollistët e huaj që zakonisht vijnë nga Afrika dhe Amerika Latine, raporton Insporti.
Shumica e tyre nuk është se kanë mahnitur me talentin e tyre në fushat e futbollit kosovar, mirëpo ka edhe na ata që kanë lënë gjurmë.
Menaxheri i Dritës, Jetmir Salihu, zbulon për Insporti.com se si vijnë këta lojtarë në vendin tonë. “Zakonisht vijnë përmes menaxherëvee që kanë lidhje në vendet përkatëse. Unë personalisht kam lidhje me presidentë dhe drejtues të klubeve në Afrikë dhe Brazil. Unë i përcjell informacionet rreth tyre në Wyscout dhe aplikacione të tjera”, ka thënë Jetmir Salihu për Insporti.com.
Tovërlani: Vijnë qorrazi duke dërguar video me momentet e tyre më të mira
Lidhur më çështjen në fjalë, Insporti e ka kontaktuar edhe trajnerin Afrim Tovërlani i cili thotë se ata vijnë në Kosovë qorrazi. “Ne nuk kemi ndonjë kompani për sjellen e tyre në Kosovë nga vendet e largëta afrikane dhe latine. Realisht, këta lojtarë vijnë qorrazi dhe nuk i njohim. Shpesh edhe ata që i sjellin nuk i njohin as vet. Personalisht nuk pranoj lojtarë nga këto vende pa i testuar. Ata dërgojnë incizime të viteve të kaluara dhe i zgjedhin momentet më të mira. Videot duhet të jenë të gjashtë muajt të fundit. Unë nuk dua që tua largojë mundësinë lojtarëve tonë. Kuptohet që nëse ka të tillë që janë në nivele dhe e bëjnë diferencën, jam i hapur, por 90 për qind nuk kanë dal të qëlluar, kanë dështuar”, ka thënë Afrim Tovërlani.
Vitia: Disa lojtarë të huaj që luajnë në Kosovë nuk figurojnë as në ‘Google’
Menaxheri i mirënjohur kosovar, Hashim Vitia, nuk preferon që të sjell në Kosovë lojtarë nga vende afrikane dhe Amerika Latine.
“Shumica e këtyre që kanë ardhur, kanë dështuar në vendet e tyre dhe vijnë këtu. Disa prej tyre nuk mund ti gjejnë as në Google.
Nëse nuk e bëjnë dallimin në kampionat, për mua nuk vlejnë”, thotë Hashim Vitia.
Sermaxhaj: Vetëm pse është brazilian apo afrikan mendojnë se është cilësor.
Në lidhje me transferet ndërkombëtare në futbollin e Kosovës, Insporti e ka kontaktuar edhe ish-futbollistin tjetër të njohur, Genc Sermaxhaj i cili tashmë punon si trajner te grupmoshat e Dritës.
“Shumica e ekipeve kosovare bëjnë transfere pa e ditur dhe pa e njohur futbollistin. Vetëm pse është brazilian apo afrikan mendojnë se është cilësor. Ne kemi talentë në ekipe të juniorëve të cilëve duhet dhënë hapësirë që mos të bëjmë shpenzime të kota. Këto transfere që janë regjistruar deri më tash mbetet t’i shohim se çfarë niveli janë e pastaj t’i vlerësojmë. Vitin e kaluar Feronikeli pati transferuar Konen i cili ishte një lojtar i dëshmuar me aftësi të jashtëzakonshme teknike dhe që ishte i dëshmuar në kampionate të tjera”, pohoi Genc Sermaxhaj.
Senegalzei Malick Ndong: Në Kosovë më lanë pa bukë
Senegalzei Malick Ndong ishte paraqitur për Hajvalinë para disa viteveEdhe pse ka kaluar një kohë prej kur ishte në Kosovë, mbrojtësi i majtë vazhdon të ‘vajtojë’ periudhën e kaluar te klubi nga paralagja e Prishtinës, ku thotë se nuk kishte bukë për të ngrënë.“Aktualisht po luaj këtu në Senegal.
Sa i përket Hajvalisë, kisha shkuar në Kosovë për kushte më të mira, por dikur nuk kishim as bukë për të ngrënë. Ndërmjetësuesi që na kishte dërguar te Hajvalia, nuk na paguante dhe ne kemi hequr për bukë. Nuk e di se si mund të funksionojë kështu klubi”, ka deklaruar Ndong për mediat vendase më parë. /Insporti.com