10:36 / E Hënë, 26 Shtator 2022 / MSH

Disa mësimdhënës mbajnë mësim e disa në greva, flet drejtori i Arsimit në Podujevë

Pavarësisht grevave në arsim, disa mësimdhënës kanë vendosur t’i kthehen profesionit, duke ftuar nxënësit e tyre nëpër klasa, për të vijuar mësimin.

Në disa shkolla në fshatrat e Podujevës, mësimdhënësit kanë nisur ligjerimin.

Megjithatë, burime të Indeksonline pohojnë se në shkollat e fshatrave: Dobërdol, Bajçine, Llapashticë e Epërme dhe atë të Gamnikut, mësimi po mbahet i përgjysmuar.

Burimet pohojnë se në këto shkolla, mësimdhënësit po mbajnë vetëm nga një ose dy orë mësimi.

Lidhur me këtë, ka dhënë sqarim drejtori i Arsimit në këtë komunë, Avni Fetahu.

Ai pohoi për Indeksonline se mësimi për nivelin fillor, në shkollat që ka nisur, po mbahet me orë të plota, ndërsa për atë të mesëm të ulët nuk vlen e njëjta, pasi varët nëse mësimdhënësit e lëndëve përkatëse janë pjesë të grevës ose jo.

“Cikli prej 1 deri në 5 mbahen komplet orët, ndërsa është e mundshme që mbahen 2 orë – 3 orë, për arsye se në procesin e shkollave ka disa që janë në grevë, e disa kanë vendosë më mbajtë mësim. Për shembull, mësimdhënësi i biologjisë e mban orën e vet, i matematikës mund të jetë në grevë, dhe mund të ketë mungesë. Tash, i bashkojnë orët, ata që kanë vendosë më i mbajtë, i mbajnë. Kjo vlen për ciklin prej 6 deri në 9”.

Fetahu shtoi se të gjithë mësimdhënësit kanë të drejtën e grevës.

“Ata nuk janë të detyrum me i mbajtë, për shkak se e drejta për grevë është e drejtë e siguruar me konventa ndërkombëtare” përfundoi Fetahu./Indeksonline/