Diskutime të frytshme dhe ide për forma të bashkëpunimit u dhanë në konferencën e tretë “Sporti dhe Media”
Diskutime të frytshme dhe ide për forma të bashkëpunimit mes sportit dhe mediave u dhanë në konferencën e tretë “Sporti dhe Media”, të organizuar sot nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dhe Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës (SHGSK).
Konferenca ishte interaktive dhe u zhvillua në formë panelesh, në njërën anë drejtuesit e sportit dhe në anën tjetër paneli i mediave.
Sporti përbëhet nga: Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit në MKRS, Shasivar Haxhijaj, sekretar i përgjithshëm i KOK-ut, Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Nehat Çitaku, kryetar i Federatës së Pingpongut të Kosovës dhe Nazmi Gashi, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës.
Në panelin e mediave, nga Shqipëria ishte redaktori dhe gazetari shumëvjeçar i RTSH-së, Dëfrim Methasani, ndërsa nga Maqedonia Veriore, zëdhënësi i Federatës së Futbollit të këtij shteti, Faton Zylbehari, njëherit zëdhënës edhe i KF Shkëndija dhe gazetar në TV Shenja.
Konferenca u hap nga presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe kryetari SHGSK-së, Edmond Thaçi.
“Kjo konferencë është në përputhje me planin strategjik të KOK-ut, dhe tani kjo ka karakter tradicional, pasi trajton tema që e shqetësojnë komunitetin e sportit dhe mediave. Konferenca ka synim të diskutohen shqetësimet, si dhe të shpalosen mundësitë e një bashkëpunimi më të madh midis medias dhe sportit, dhe ky relacion të jetë sa më i shëndetshëm e më transparentë”, tha presidenti Hasani.
I pari i SHGSK-së, Edmond Thaçi deklaroi se ky institucion ka prioritet ngritjen e kapaciteteve të komunitetit të gazetarëve. “Konferencat e tilla janë shumë të mirëseardhura, pasi diskutohen problemet e shumta në relacionin gazetarë dhe organizata sportive. Uroj që nga kjo konferencë të dalin konkluza që shkojnë në të mirë të dy komuniteteve”, tha kryetari Thaçi.
Panelistët diskutuan për sfidat mes sportit dhe mediave, si dhe gjetjen e formave më të mira të bashkëpunimit.
Derisa drejtuesit e sportit kërkonin gjetje të hapësirës më të madhe në media për aktivitetet e tyre, paneli i gazetarëve fajin ia hedhte edhe federatave, të cilat sipas tyre nuk po i kushtojnë shumë rëndësi zyrës për informim. Gazetarët dhanë propozime të ndryshme për federatat, si pasqyrimi me video i ngjarjeve, sidomos atyre ndërkombëtare, si dhe dërgimi për mediat, në mënyrë që mediat ta kenë më të lehtë publikimin e tyre.
Gazetarët nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, treguan përvoja të shteteve të tyre në sfidat “sporti dhe media”, derisa theksuan nevojën që pasqyrimi i ngjarjeve sportive të Kosovës në mediat e këtyre vendeve dhe anasjelltas të rritet, përkundër se ai nuk mungon edhe tash.
Me pyetje dhe diskutime u inkuadruan edhe të pranishmit tjerë jashtë paneleve.
Pjesëmarrësit e quajtën të frytshme konferencën, duke bërë thirrje që të vazhdohet edhe në të ardhmen me konferenca të tilla.