Diskutimet për Qeverinë: Çfarë e pret Kosovën ditët në vijim?
Kosova i mbajti zgjedhjet parlamentare në shkurt të 2025-s, por viti lehtësisht mund të përfundojë pa një qeveri të re.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Glauk Konjufca, ka afat deri më 19 nëntor që t’ia propozojë Kuvendit përbërjen e re qeveritare, për të parë nëse i ka votat e nevojshme për ta formuar ekzekutivin e ri.
Në ditën kur u caktua mandatar, Konjufca u bëri thirrje partive tjera politike që t’i linin anash inatet dhe të votonin për një qeveri të përkohshme deri në prillin e vitit tjetër – kur i skadon mandati presidentes aktuale, Vjosa Osmani – por, partitë e mëdha shqiptare e bënë të qartë se nuk kanë votë për të.
Konjufca është mandatari i dytë i LVV-së, pas kreut të partisë, Albin Kurti, që do të provojë të formojë qeverinë e re.
Kjo parti, ndonëse ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e fillimvitit, nuk ka siguruar mjaftueshëm vende në Kuvend për ta zgjedhur e vetme qeverinë./REL/

