14:10 / E Enjte, 11 Tetor 2018 / indeksADMonline

Dita Botërore e Mbipeshës shënohet edhe në Mitrovicë

Organizata për zhvillimin e shoqërisë (CDO) në Mitrovicë në bashkëpunim me organizatat ‘FES’ dhe ‘Human Care’, kanë organizuar sot aktivitete të ndryshme në Ditën Ndërkombëtare kundër stigmatizimit të obezitetit-mbipeshës.

Në qendër të qytetit të Mitrovicës janë ofruar kontrolle mjekësore falas për një numër të konsiderueshëm të qytetarëve, siç janë glikemia, tensioni i gjakut, BMI dhe të ngjashme, ndërsa vullnetarët e këtyre organizatave kanë shpërndarë edhe broshura informuese për të promovuar zgjidhje praktike kundër mbipeshës.

Merita Mripa, menaxhere e programeve në CDO, ka bërë të ditur për KosovaPress se shoqëria kosovare në përgjithësi duhet pasur kujdes në përdorimin e gjuhës dhe imazheve negative rreth obezitetit.

Sipas saj, ka ardhur koha që përfundimisht t’i thuhet JO diskriminimit të njerëzve për shkak të peshës. Ajo porositi që ndërgjegjësimi rreth kësaj teme të mos ndodhë vetëm një ditë, por të vazhdoj gjatë gjithë vitit.

“Është me rëndësi që mediat, institucionet dhe gjithë të tjerët në shoqërinë tonë, të mos përdorin gjuhë dhe imazhe negative rreth obezitetit…Ne sapo kemi filluar me punë, por numrin e njerëzve nuk po mundemi me ndal, andaj kemi ftuar më shumë infermiere dhe vullnetarë tonë…Mesazhi im është ndërgjegjësimi i shoqërisë civile, institucioneve përkatëse, qoftë të shëndetësisë, arsimit, që t’i vetëdijësojmë njerëzit, që kjo ditë të mos jetë vetëm sot dhe të mbaroj, por të vazhdojmë me këtë moto gjatë gjithë vitit”, ka thënë Mripa.

Në anën tjetër, Naser Fejza, qytetar, ka falënderuar organizatën CDO për kujdesin ndaj qytetarëve, sidomos të sëmurëve, duke thënë se aktivitete të tilla duhet të organizohen më shpesh dhe në mbarë vendin.

“Falënderoj organizatën CDO për angazhimin ndaj popullatës së Mitrovicës. Kanë shumë kujdes ndaj qytetarëve, sidomos ndaj të sëmurëve…Dikush nuk ka mundësi t’i bëj këto kontrolle te mjeku… Këto aktivitete duhet organizuar jo vetëm në Mitrovicë, por në të gjitha qytetet e Kosovës”, tha ai.