75 Mall Live Search
14:05 / E Hënë, 28 Korrik 2025 / FR

Dita e dytë, futen ndihmat në Gaza/ Izraeli respekton pauzën 10-orëshe të luftimeve

Për të dytën ditë rradhazi, Izraeli po vijon këtë të hënë pauzën 10-orëshe të luftimeve në disa pjesë të territorit të Rripit të Gazas me qëllin për të lejuar hedhjen dhe kalimin e ndihmave humanitare në zonat  ku uria ka pllakosur civilët e pafajshëm.

Në operacionet ajrore të së dielës Izraeli, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe hodhën ndihma me parashuta nga avionët, por Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se një masë e tillë nuk mjafton për ti dhënë fund urisë në enklavën palestineze.

Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe thane se kishin hedhur 25 tonë me ndihma ushqimore në Rripin e Gazas. Pamjet e publikuara nga mediat ndërkombëtare treguan civilët e dëshpëruar për ushqim që vrapuan për të marrë pakot ushqimore për familjet e tyre.

Pauzat taktike të luftimeve janë aktualisht aktive në Deir El Balah, Al Mawasi dhe në qytetin e Gazas. Ato kanë nisur nga ora 10 e mëngjesit dhe do të zgjasin deri në orën 20 të mbrëmjes.

Tom Fletcher, nënsekretar i përgjithshëm për cështjet humanitare dhe kordinator i ndihmës emergjente në Kombet e Bashkuara tha për BBC-në se Organizata e Kombeve të Bashkuara ka një plan për të dërguar ndihma në të gjithë Rripin e Gazas brenda dy javëve, por për dicka të tillë nevojitet që Izraeli të hapë kufijtë e enklaves palestineze dhe të lejojë qarkullimin e ndihmave.

Qeveria izraelite është përballur me kritika të shumta nga komuniteti ndërkombëtar për përdorimin e urisë, si armë lufte ndaj civilëve të pafajshëm. Kryeministri Izraelit Benjamin Netanyahu i mohoi këto akuza duke thënë se në enklavën palestineze nuk ka uri.  Të dhënat nga organizatat humanitare kanë treguar se Gaza është në prag të urisë vdekjeprurëse, ndërsa qindra persona kanë humbur jetën përgjatë javëve të fundit si pasojë e mungesës së ushqimit.

Mbi 17 mijë fëmijë në enklavën palestineze vuajnë nga kequshqyerja e rëndë, ndërsa situata është përkeqësuar më tej në 6 muajt e fundit për shkak të bllokadës izraelite.