“Ditë historike për Kosovën”, deklarohen nga Klinika Infektive për procesin e vaksinimit

Sot ka filluar procesi i vaksinimit kundër Covidit-19 për punëtorët shëndetësorë, teksa edhe janë deklaruar nga Klinika Infektive, shkruan Indeksonline.
Këtë vaksinë e mori edhe drejtori i Klinikës Infektive, Izet Sadiku, i cili tha se po ndihet mirë teksa shtoi se sot është një ditë historike për Kosovën.
“E mora vaksinën, mirë po ndihem. Sot ditë historike per Kosovën, është mënyra më e mirë me e fut pandeminë nën kontroll. Qytetarët të respektojnë masat. Nuk kam reaksione, e kanë marrë edhe disa kolegë të tjerë gjatë javës. Një pjesë e tyre kanë pasur reaksione të lehta”.
Edhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, u deklarua për median ku u apeloi të gjithë qytetarëve që të marrin këtë vaksinë pasi që është e sigurt.
“Sot është një ditë e mbarë për Kosovën. Deri tani bota ka pasur në përdorim vetëm metodat paralanduese. Përmes vaksinimit po synohet që t’i jepet fundit.
Virusi është ende prezent. Jemi të vetëdijshëm që ky proces do të marrë kohë. I lusim qytetarët për durim edhe për respektim të planit të organizimit. Vaksina është e sigurt. Çdo qytetar duhet të ndihet i sigurt. Sot kemi mbi 900 pacientë të shtrirë në të gjithë klinikat e QKUK-së dhe spitale. Duhet patjerët të respektojmë masat që janë në fuqi. Do të vaksinohem edhe unë, fillimisht do të shoh kolegët e mi në front”.
Ndërsa shefja e imunizimit në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Edita Goranci-Haxhiu, tha se planifikojnë që deri në fund të vitit të vaksinojnë 70% të popullsisë.
“Sot ka filluar procesi i vaksinimit, së pari po vaksinohen punëtorët e Klinikës Infektive, njëkohësisht në sallën “1 Tetori” janë duke u vaksinuar punëtorët shëndetësorë që janë në vijën e parë të frontit. Deri në 70% të popullsisë planifikohen të vaksinohen deri në fund të vitit. Nga e enjtja fillon vaksinimi edhe në komuna të tjera. Brenda një dite në sallën “1 Tetori” është planifikuar 760 persona të vaksinohen”./Indeksonline/