75 Mall Live Search
11:17 / E Shtunë, 04 Maj 2019 / indeksADMonline

Ditë më parë vranë një person me dru, gjykata merr vendim për të dyshuarit nga Vitia

Gjykata Themelore e Gjilanit ka caktuar masën prej tridhjetë ditë pesë personave, të cilët dyshohen se kanë vrarë një person në fshatin Sadovinë e Qerkezëve të Vitisë.

Përmes një njoftimi, kjo gjykata ka bërë të ditur se të dyshuarit kanë rrezikuar edhe jetën e bashkëshortes së të ndjerit.

Ndërsa për lëndim trupor 30 ditë paraburgim i janë caktuar edhe të dyshuarit të gjashtë.

Ditë më parë një person ka ndërruar jetë pasi është goditur me dru pas një kontesti pronësor.

Njoftimi i plotë i Gjykatës:

Paraburgim të pandehurve për veprën penale “vrasje e rëndë” dhe “lëndim i rëndë trupor”

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve F. I., B. I., S. I., I. I., I. I., dhe E. I.

Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 02.05.2019, rreth orës 09:30 minuta në fshatin Sadovinë e Qerkezëve të Vitisë, të pandehurit F. I., B. I., S. I., I. I. dhe I. I., pas një mosmarrëveshje të një kontesti pronësor, me dashje në bashkëveprim kanë privuar nga jeta tani të ndjerin M. I., duke e goditur në mënyrë mizore me mjete të forta – vegla pune, i kanë shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, njëherit kanë rrezikuar edhe jetën e bashkëshortes së të ndjerit K. I. dhe të pandehurit E. I.

Me këto veprime të pandehurit F. I., B. I., S. I., I. I., dhe I. I., dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’vrasje e rëndë”, ndërsa i pandehuri E. I., veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, vepra këto të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /Indeksonline/