75 Mall Live Search
13:31 / E Martë, 24 Mars 2020 / indeksADMonline

Ditë të vështira/QKUK sot pranoi donacion me pajisje dhe materiale nga Holanda

Ditë më parë u bë e ditur se Holanda do të ndihmojë Kosovën, si dikur në kohë lufte edhe tani në luftimin e virusit COVID-19.

QKUK tashmë bëri të ditur se ka pranuar donacion me pajisje dhe materiale nga Holanda, donacion ky që sipas tyre u bë me angazhim dhe përkrahje të Ambasadorit të Kosovës në Hagë, Lirim Greiçevci, këshilltarit të Ambasadës, Besnik Ramadanaj dhe Yllka Geci, zyrtare konsulore.

Në përbërje të këtij donacioni ka aparate dhe maska të oksigjenit, maska mbrojtëse kirurgjikale, shtretër për bartje të pacientëve, rroba mbrojtëse për infermierë, tubacione oksigjeni, dorëza mbrojtëse, kateterë dhe materiale të tjera, transmeton Indeksonline.

Ky donacion është paraparë për Klinikën Emergjente dhe atë Infektive të QKUK-së, dhuruar nga Ambulance voor Kosovo.

“Me rastin e pranimit të këtij donacioni, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës,  Basri Sejdiu, ka falënderuar Ambasadën e Kosovës në Hagë dhe donatorët nga Holanda, që në momentet kur më së shumti kemi nevojë për përkrahje, dhuruan këtë donacion për QKUK.

Ai siguroi donatorët që përmes komisioneve profesionale që ka formuar, materialet e pranuara do të dërgohen tek klinikat përkatëse për shfrytëzim për pacientët dhe stafin shëndetësor”, thuhet në njoftimin e QKUK-ShSKUK-së./Indeksonline/