14:27 / E Martë, 04 Maj 2021 / M. M

Divorci i Bill dhe Melinda Gates: Si do të ndahet pasuria kolosale prej 146 miliardë dollarësh

Lajmi i divorcit të Bill dhe Melinda Gates, pas 27 vitesh martesë ka ngjallur interes në mbarë botën, sidomos se si do të ndahet pasuria e tyre marramendëse. Bill Gates, bashkëthemeluesi i Microsoft, është njeriu i katërt më i pasur në botë me një vlerë neto prej 146 miliardë dollarësh.

Pasuria e tij dhe e Melindës përfshijnë shtëpi në pesë shtete, flotë makinash, një Porsche të rrallë prej 2 milionë dollarësh, një koleksion arti nga Da Vinci prej 30 milionë dollarësh dhe një tërësi avionësh privatë. Bill dhe Melinda gjithashtu zotërojnë 242,000 hektarë tokë në 18 shtete të ndryshme, me Bill Gates, i cili u emërua fermeri më i madh privat në Shtetet e Bashkuara.

Bill dhe Melinda Gates jetojnë në Uashington, nga ku kanë ndërtuar së bashku të gjithë pasurinë, e cila pritet të ndahet 50/50, por nëse ekziston një marrëveshje paramartesore, ajo do t’i ndryshojë gjërat. I pyetur për ndarjen e pasurisë, zëdhënësi i Bill Gates nuk pranoi të komentonte, nëse çifti me tre fëmijë, ka nënshkruar një kontratë paramartesore ose jo.

Sipas medieve ndërkombëtare, divorci i tyre do të jetë ndarja më e madhe e pasurive që kur Jeff Bezos dhe gruaja e tij McKenzie u divorcuan në mes të vitit 2019. Raportohet se në divorcin e Jeff Bezos, themeluesit të Amazon, ish-bashkëshortja e tij MacKenzie Bezos u largua nga kompania me 25% të kapitalit aksioner të Amazon, me vlerë rreth 38 miliardë dollarë.
Sipas prestigjozes,Business Insider, edhe në qoftë se pasuria e Gates ndahet për gjysmë, Bill dhe Melinda me shumë mundësi, do të mbeten dy nga njerëzit më të pasur në botë .