19:51 / E Shtunë, 11 Janar 2020

Djali i axhës së Dardan Sejdiut emërohet sekretar në ndërmarrjen e Stacionit të Autobusëve, në Prishtinë

Agron Sejdiu ka fituar pozitën e sekretarit kooperativ në ndërmarrjen NPL Stacioni i Autobusëve, në Prishtinë.

Sipas burimeve të IndeksOnlineit, Sejdiu është djali i axhës së ish-deputetit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu.

IndeksOnline po ashtu ka siguruar dokumentin në bazë të cilit është përzgjedhur për këtë pozitë nga Bordi i drejtorëve në ndërmarrjen Stacioni i Autobusëve.

Ai ka fituar konkursin me 38 pikë.

Në dokument thuhet se Sejdiu i ka kaluar me sukses të dy fazat e intervistimit të kandidatëve.

Kundërshtar për pozitën sekretar kooperativ Sejdiu kishte Erza Tullumi, e cila kishte marrë 35 pikë në intervista.

“ Rrjedhimisht z.Agron Sejdiu shpallet fitues i konkursit të rishpallur për sekretar kooperativ të NPL Stacioni i Autobusëve sh.a Prishtinë, i shpallur fillimisht më 25.09.2019, intervistat për të cilin post u mbajtën në hapësirat e ndërrmarrjes”, thuhet në dokument.

Ndryshe, Dardan Sejdiu ishte nënkryetar i  Lëvizjes Vetëvendosje deri në momentin kur u nda kjo parti dhe ai kaloi në Partinë Socialdemokrate.

Me besim të plotë, anëtarët e kësaj partie patën hyrë në garë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 por PSD-ja pësoi debakël.

Tashmë, udhëheqësit e këtij subjekti politik duket se po kujdesen që t’i emërojnë njerëzit e afërm në ndërmarrjet të cilat menaxhohen nga Komuna e Prishtinës, në krye me ish- kryetarin e PSD-së, Shpend Ahmetin.

Dardan Sejdiu më 2016 ishte i dyti në Komunën e Prishtinës, pra nënkryetar./IndeksOnline/

Mos i humb