Djali i David-it e Victoria-s “e ka braktisur familjen”! Si e morën vesh për rinovimin e betimeve të tij

Brooklyn Beckham nuk ka ftuar asnjë nga të afërmit e tij për të rinovuar betimet e martesës me Nicola Peltz-in , me David dhe Victoria Beckhamin të shqetësuar se djali i tyre i madh është “larguar përgjithmonë nga familja”.
Prindërit e tij u njoftuan për ceremoninë nga media.
26-vjeçari dhe gruaja e tij, të cilët u martuan për herë të parë në vitin 2022, shkëmbyen betimet përsëri më 2 gusht në New York, në një ceremoni të vogël ku mori pjesë familja e Nicola Peltz-it. Nusja veshi fustanin e nusërisë së nënës së saj nga viti 1985, ndërsa babai i saj, Nelson Peltz, shërbeu si drejtues i ceremonisë. Asnjë anëtar i familjes Beckham, madje as prindërit apo vëllezërit e motrat e tij, nuk u ftuan, sipas një raporti në “Sun”.
Një burim pranë çiftit i tha gazetës se mungesa e familjes, e kombinuar me rolin qendror të Nelson Peltz-it në ceremoni, ishte “veçanërisht e dhimbshme për David Beckhamin”. Ai shtoi se as 30 anëtarët e familjes së tij të zgjeruar nuk ishin informuar, ndërsa gjyshërit e Brooklyn Beckhamit janë “të shkatërruar”. I njëjti burim e përshkroi këtë veprim si “mizor dhe hakmarrës”, duke vlerësuar se 2 gushti mund të shënojë “ditën kur Brooklyn pushoi së qeni anëtar i familjes Beckham”.
Përçarja duket se ka filluar që në vitin 2022, para dasmës së parë, kur Nicola Peltz zgjodhi të mos vishte krijimin e vjehrrës së saj, por një fustan nusërie Valentino, gjë që thuhet se nuk i pëlqeu Victoria Beckhamit. Që atëherë, dy familjet nuk janë takuar, ndërsa Nicola Peltz rrallë fotografohet me familjen Beckham. Situata u përkeqësua në maj, kur Brooklyn Beckham mungonte në 50-vjetorin e babait të tij, ndërsa ai dhe Nicola Peltz nuk i ndjekin më vëllezërit e tij, Romeo dhe Cruz, në rrjetet sociale, një veprim që, sipas miqve të tyre, u bë pas një bllokimi nga të dy Beckham-ët më të vegjël.