75 Mall Live Search
15:42 / E Hënë, 28 Korrik 2025 / L A

Djali i Tottit i jep fund karrierës në moshën 19-vjeçare

Cristian Totti, djali i ikonës së Romës dhe Italisë, Francesco Totti, ka vendosur të tërhiqet nga futbolli profesionist në një moshë shumë të re, 19 vjeç.

Pavarësisht se u rrit mes pritshmërive të mëdha për të ndjekur gjurmët e të atit, presioni i vazhdueshëm dhe krahasimet e pashmangshme me legjendën verdhekuqe kanë ndikuar në vendimin e tij për të varur këpucët në gozhdë.

Në një intervistë për “La Nuova”, ai konfirmoi tërheqjen: “Po, po tërhiqem, e kam vendosur”, duke iu referuar muajve të fundit ku ishte pa skuadër si agjent i lirë. Karriera e tij pati pak shkëlqim, me paraqitje të kufizuara në ekipet zinxhir të Romës, një periudhë në Primavera të Frosinones ku shënoi vetëm një gol, dhe një përvojë të fundit jo shumë të suksesshme në Serie D me skuadrën e Olbias, ku luajti vetëm 156 minuta në total.

Presioni mediatik dhe komentet shpesh të padrejta për fizikun e tij, si dhe pritshmëritë e larta për të qenë pasardhës i një emri kaq të madh si Totti, kanë qenë faktorë të rëndësishëm që e kanë penguar në rrugëtimin e tij si futbollist. Ish-portieri dhe trajneri i tij te Olbia, Marco Amelia, e theksoi këtë kur tha se “të qenit djali i Tottit pati ndikim në vlerësimet e tij”.

Megjithatë, ndonëse ka mbyllur një kapitull, Cristian nuk i largohet futbollit. Ai tashmë i është bashkuar babait të tij në projektin e Shkollës së Futbollit “Totti”, akademia që menaxhohet nga xhaxhai i tij Riccardo. Aty, ai do të punojë si vëzhgues pranë drejtorit të përgjithshëm Claudio D’Ulisse, duke u përqendruar në identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të reja.

Kështu, ndonëse jo më si lojtar në fushë, Cristian Totti do të vijojë të jetë pjesë e botës së futbollit – kësaj here në prapaskenë, pranë familjes dhe pasionit të përbashkët.