11:02 / E Enjte, 21 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Djali i Ukë Bytyçit-Haradinajt: Mbrëmë luajte me tragjedinë e familjes time, turp për ju!

Mbrëmë nënkryetari i OVL-UÇK,së Nasim Haradinaj ka dhënë një deklaratë për vrasjet e pasluftës në Kosovë e cila ka ngjallur reagime të shumta.

Ai në një moment ka thënë “punë e madhe për vrasjet e anëtarëve të LDK-së”, për të cilin sot po vazhdojnë kritika.

Flamur Bytyçi, djali i ish-kryetarit të Suharekës, Ukë Bytyçi që  u vra pas lufte, sot në një postim në Facebook ka thënë disa fjalë për këtë deklaratë të Haradinajt.

Ai ka shkruar se ndoshta për të tjerët s’është punë e madhe, por për të po, sepse akoma nuk e di se kush ia vrau babain.

Bytyçi i ka thënë Haradinajt se mbrëmë ka luajtur me tragjedinë e familjes së tij, për të cilin thotë se u vra për motive politike.

Ja postimi i Bytyçit:

“Punë e madhe që janë vra të LDK-së ”

z.Haradinaj mbrëmë po flisnit edhe për babain tim (UKË BYTYÇIN) themeluesin e UÇK-së, i burgosuri politik, aktivist i madh i cili meritonte që të jetë sot bashkë me Neve, me të gjithë bashkë udhëtarët e tij për një shtet më të formuar dhe më demokratik.

Për ty z.Haradinaj nuk është punë e madhe vrasja e babait tim, punë e madhe dhe e dhimbshme është që unë sot ndoshta dhe takohem me vrasësin e babait tim, ndoshta i’a jap edhe dorën sepse ende nuk dihet se kush e ka porositur atë vrasje !?Ti mbrëmë luajte me tragjedinë e familjes time, ndoshta Ne familjarët nuk dimë asgjë, por një gjë e dimë që babai im u vra për motive politike para gruas, fëmijëve dhe gjithë simpatizantëve në ditën e fitores së LDK-së në komunën e Suharekës.Turp për Ju për një prononcim të tillë, më ke kthyer në ditën e mallkuar kur e kam parë Babain tim të shtritë më 27 Tetor të 2002 ! /Indeksonline/