19:49 / E Hënë, 15 Prill 2019

Djali kërkon të “nxjerrë nga varri” të vërtetën e vdekjes së babait

Emisioni Boom është ndalur këtë herë tek denoncimi i shtetasit Blerim Dajti, i cili pas vdekjes në rrethana të dyshimta të babait të tij, kërkon zbardhjen e ngjarjes.

Denoncimi i Blerim Dajtit: Në 2009 ndodhi një ngjarje ku humbi jetën babai im kur ishte i punësuar mbi 7-8 vite. Kjo ishte një gurore që krijonte inerte, kurse babai im ishte ndihmës i zjarrmëtarit. Zjarrmëtari e urdhëronte atë, por ky nuk kishte leje apo licencë për të plasur mina. Ne e prisnim atë çdo natë që të vinte në shtëpi dhe atë natë as gjumë nuk kemi fjetur, se po prisnim babin që po vjen nga puna dhe ai nuk erdhi. Lajmin pastaj e kemi marrë të nesërmen.

Gazetarja: Humbja e jetës së babait tuaj ka qenë e menjëhershme apo në spital?

Blerim Dajtit: Nuk dimë asgjë për këtë.

Gazetarja: Institucionet hetuan në atë kohë dhe a jeni vënë në dijeni në lidhje me kryerjen e këtyre hetimeve?

Blerim Dajtit:  Ne nuk jemi vënë në dijeni fare nga kjo ngjarje, por vitet kalojnë dhe unë u rrita pak a shumë dhe fillova të kërkoj se si humbi jetën babai im. Prokurori Elio Mazreku që e ka pas çështjen dhe e ka akoma, tenton me çdo kusht ta mbyllë, ta pushojë këtë çështje. Ne jemi 6 fëmijë edhe nëna. Ne kërkojmë drejtësinë shqiptare. Të vihen para përgjegjësisë autorët që kanë pas përgjegjësi për këtë punë. Ne duam drejtësi të zbardhjet kjo çështje.

Në akt-ekspertimin e realizuar me kërkesë së Prokurorisë së rrethit Tiranë 10 vjet më parë, ekspertët nuk kanë dhënë një, por dy konkluzione, nga të cilat prokurori Elio Mazreku, ka marrë atë që ngarkon më faj viktimën.

Avokati Kondi Ilia: Në vitin 2009 Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar një procedim penal, ndërkohë ka vendosur menjëherë mosfillimin në lidhje me këtë procedim penal. Pra, përpara 10 viteve e ka filluar dhe e ka mbyllur atë brenda disa ditësh. Një nga trashëgimtarët e viktimës, shtetasi Blerim Dajti është interesuar çfarë ka ndodhur për dosjen e babait të tij pasi nuk ishte njoftuar. Unë si avokat kam filluar të gjitha procedurat në lidhje me njoftimin e vendimit të çështjes dhe nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk vërtetohej që të ishte bërë njoftimi ndaj tyre.

Sipas kodit të procedurës penale duhet të njoftohen të gjithë trashëgimtarët e viktimës, jo vetëm personat nën hetim. Ishin marrë dy persona nën hetim të cilët menjëherë pas disa orësh ishin liruar dhe ndërkohë prokuroria nga dosja që unë hulumtova rezultonte që nuk kishte kryer asnjë lloj veprimi hetimor për një vepër shumë të rëndë, me sanksione shumë të renda, flasim për një aksident në punë dhe për një dispozitë në lidhje me përdorimin e lëndëve plasëse.

Gazetarja: Si është shkaktuar vdekja e të ndjerit?

Avokati Kondi Ilia: Nga dosja rezulton që kemi një akt ekspertimi bërë me iniciativën e prokurorisë. Ekspertët kanë dalë në dy konkluzione , realisht duhet të ketë një konkluzion në lidhje me shkakun e vdekjes së personit. Ekspertët thonë. Ose mundet gjatë pastrimit të gurëve ka shpërthyer një lëndë plasëse ose mundet kjo lëndë plasëse të jetë përdorur nga viktima.

Prokurori ka nxituar menjëherë dhe njërin konkluzion të akt -ekspertimit e ka bërë pjesë të vendimit të mosfillimit kur në fakt, po të qëndrojmë tek konkluzioni tjetër që mundet që viktima të ketë hasur në një lëndë plasëse, atëherë ka një përgjegjës , i cili merret me shpërthimin e lëndëve plasëse. Ka një përgjegjës i cili e pastron atë, ka një roje në këtë biznes privat që cilët janë personat që kanë të drejtë të pastrojnë dhe të tjera procedura që parashikohen në një vendim të këshillit të ministrave që ka rregulla specifike për përdorimin e lëndëve plasëse. Në këtë rast prokurori nuk i është përmbajtur këtij vendimi dhe ka nxituar të mbyll hetimet.

10 vjet më pas me kërkesë të familjarëve, gjykata ka vendosur rihapjen e hetimeve në lidhje me ngjarjen. Në kundërshtimet e paraqitura prokurori Mazreku ndër të tjera ka mashtruar gjykatën duke dhënë fakte të rreme.

Për avokatin Kondi Ilia, në kushte të tilla, drejtimi i hetimeve nga i njëjti prokuror duhet të sjell edhe reagimin e Prokurorisë.

Av.Kondi Ilia: Gjykata e Apelit me një integritet në mënyrë kolegjiale ka vendosur që të rifillojnë hetimet dhe janë lënë detyra konkrete ndaj prokurorisë të cilat duhet t`i kryej. Më konkretisht duhet të sekuestrohen të gjitha librat e kësaj firme në lidhje me shpërthimet, të pyeten persona të ndryshëm të cilët janë përgjegjës për pastrimin e lëndëve plasëse .Por ajo që më shqetëson mua është fakti që prokurori për mendimin tim nuk duhet të ishte më prokurori i këtij hetimi , për vetë faktin se në kundraankimin që ai ka bërë është shprehur që kjo firmë nuk ekziston, pra ka dhënë para gjykatës fakte të rreme. Prokurori është shprehur jo vetëm i njëanshëm, por ka dhënë dhe fakte të rreme dhe të pavërteta. Ne në prokurorinë e përgjithshme kemi kërkuar që të ngrihet në komisionin disiplinor dhe vendosjen e masës disiplinore ndaj këtij prokurori , për më tepër ai nuk meriton për shkak të konfliktit të interesit që të drejtoi këtë procedim. Në momentin që pas 9 viteve ne kemi arritur që gjykata e apelit të shfuqizoj vendimin e shkallës së parë dhe atë të mosfillimit ka vendosur që të kryhen hetimet dhe kanë kaluar sërish 9 muaj dhe nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare nga prokurori në lidhje me ndonjë vendimmarrje të mundshme, pse shtyhen këto hetime apo me ndonjë konkluzion konkret në lidhje me detyrat që ka lënë gjykata e Apelit. Është prokurori Elio Mazreku i ngarkuar për të vazhduar hetimin e kësaj çështjeje, kur realisht nuk duhet të jetë ky prokurori.       

/