15:28 / E Enjte, 29 Qershor 2023 / AR

Djegia e Kuranit ditën e Kurban Bajramit në Suedi ngjall zemërim në të gjithë botën myslimane

Disa vende me shumicë myslimane kanë dënuar djegien e një kopje të Kuranit në Suedi në një protestë.

Salwan Momika, që thuhet se ishte një irakian që jetonte në Suedi, i vuri zjarrin një kopje të tekstit mysliman përpara xhamisë qendrore të Stokholmit të mërkurën, teksa myslimanët në mbarë botën festuan ditën e parë të Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin mysliman.

Vendet e Lindjes së Mesme, përfshirë Irakun, Iranin, Arabinë Saudite dhe Egjiptin e kritikuan ashpër djegien.

Dhe Turqia, e quajti atë një “akt të neveritshëm”. Turqia – e cila u zemërua gjithashtu nga një protestë për djegien e Kuranit në fillim të këtij viti – tha se ishte “e papranueshme” të lejoheshin “veprime të tilla anti-islamike” të ndodhnin “nën pretekstin e lirisë së shprehjes”.

Myslimanët e konsiderojnë Kuranin fjalën e shenjtë të Zotit dhe e shohin çdo dëmtim të qëllimshëm apo shfaqje të mosrespektimit ndaj tij si thellësisht ofenduese.

Policia suedeze i kishte dhënë z. Momika një leje për protestën, në përputhje me ligjet e fjalës së lirë. Por më vonë policia tha se incidenti ishte duke u hetuar për nxitje urrejtjeje.

Protesta shkaktoi zemërim edhe në mesin e kombeve të tjera.

Maroku ka tërhequr ambasadorin e tij në Stokholm dhe ka thirrur të ngarkuarin me punë të Suedisë në Rabat.

Iraku tha se incidenti ishte “një reflektim i një shpirti agresiv të urryer që nuk ka të bëjë fare me lirinë e shprehjes”.

Irani i bëri jehonë kritikave të Irakut, duke e quajtur aktin e djegies së Kuranit “provokues” dhe “të papranueshëm”, ndërsa Egjipti e përshkroi atë si një akt “të turpshëm” që ishte veçanërisht provokues teksa myslimanët festojnë Kurban Bajramin.

Arabia Saudite – destinacioni i rreth 1.8 milion besimtarëve në pelegrinazhin vjetor të Haxhit këtë javë – tha se “këto akte të urryera dhe të përsëritura nuk mund të pranohen me asnjë justifikim”.

Kryeministri i Suedisë Ulf Kristersson tha se djegia e Kuranit ishte “e ligjshme, por jo e përshtatshme”.

Planet për të djegur kopje të Kuranit kanë shkaktuar trazira në Suedi muajt e fundit.

Policia kishte refuzuar aplikime të ngjashme për protesta kohët e fundit, por gjykatat vendosën më pas se ato duhet të lejohen për arsye të lirisë së shprehjes.