DnV: Proces i votimit, i qetë dhe demokratik

Koalicioni i organizatave joqeveritare që monitori procesin zgjedhor, Demokracia në Veprim (DnV), tha se procesi ishte i qetë dhe demokratik.
Megjithatë, DnV-ja vuri në pah se ka pasur disa parregullsi gjatë votimeve.
“Votimi me asistencë ka qenë një dukuri shumë e shprehur, ku shumë votues, sidomos gratë dhe të rinjtë, janë asistuar nga të afërm të tyre dhe persona të tjerë. Madje, në shumë raste, votimi me asistencë nuk është evidentuar fare në librin e votimit”, tha DnV-ja.
Telashe për votuesit kanë shkaktuar edhe ndryshimi i qendrave të votimit për qytetarët dhe “një numër i lartë i votuesve janë kthyer pa pasur mundësi të votojnë, pasi emrat e tyre nuk janë gjetur në listën e votuesve”.
“Vëzhguesit e DnV-së kanë evidentuar edhe prani të materialeve promovuese, posterë e kartëvizita brenda perimetrit prej 100 metrash të Qendrave të Votimit, ndërsa në disa komuna ka pasur edhe votim të organizuar për grupe qytetarësh”, tha DnV-ja në një njoftim për media pas mbylljes së vendvotimeve.
Ky koalicion u bëri thirrje komisionerëve që të bëjnë numërimin e votave me përkushtim dhe partive politike që me qetësi të presin rezultatet zyrtare.