14:55 / E Martë, 23 Shkurt 2021 / k.v

DnV: QNR të rrisë kapacitetet që procesi paszgjedhor të përmbyllet sa më shpejtë

Demokracia në Veprim (DnV), edhe pas përmbylljes së procesit të votimit dhe numërimit votave në vendvotime, ka vijuar me vëzhgimin e procesit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si edhe zhvillimeve të tjera që ndërlidhen me zgjedhjet.

Bazuar në raportimet e vëzhguesve tanë, proceset e zhvilluara deri tani në QNR kanë qenë në përputhje me legjislacionin përkatës, por janë zhvilluar me ritëm të ngadaltë. Procesi i verifikimit të materialeve zgjedhore, procesimi i votave me kusht dhe atyre nga jashtë vendit, si dhe rinumërimi i votave të rreth 500 kutive, po vazhdojnë të përcillen me transparencë dhe me pjesëmarrje të madhe të vëzhguesve vendorë por edhe atyre ndërkombëtarë.

Ndonëse vendimi për rinumërimin votave të mbi 20% të vendvotimeve në nivel vendi ndikon në rritjen e integritetit të zgjedhjeve dhe saktësisë së rezultateve, ky proces shpërfaq problemet me cilësinë dhe kualifikimet e komisionerëve, si edhe trajnimeve të organizuara për ta nga KQZ-ja.

Mosadresimi i problemeve të evidentuara edhe gjatë proceseve të kaluara, ka ndikuar që sërish të përsëriten problemet e njëjta, veçanërisht me bartjen e votave të kandidatëve të subjekteve politike. Në këtë drejtim, KQZ-ja duhet medoemos të ndërmarrë hapa për rritjen e cilësisë së trajnimeve, apo edhe të krijohen mekanizma për ndëshkimin e komisionerëve, të cilët si rezultat i gabimeve, njerëzore apo të qëllimshme, kanë deformuar vullnetin qytetar dhe në mënyrë indirekte kanë ndikuar në vonimin e procedurave paszgjedhore deri në certifikimi i rezultateve zgjedhore.

DnV-ja rikujton se vendi ndodhet para limiteve të fundit kohore për zgjedhjen e presidentit, të cilit duhet t’i paraprijë konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e Qeverisë së re. Prandaj, DnV-ja kërkon që, për aq sa është e nevojshme, QNR-ja të rrisë edhe më shumë kapacitetet humane për menaxhimin dhe përmbylljen e procedurave brenda një periudhe sa më të shpejtë kohore.

Sa i përket numrit të dyshimtë të votave të dy subjekteve politike, një nga komuniteti boshnjak dhe një nga ai rom, DnV-ja vlerëson se ato janë të diskutueshme, në radhë të parë për shkak se janë fituar në zona ku nuk ka koncentrim të komuniteteve përkatëse, si edhe së dyti, për shkak se delegjitimojnë idenë e vendeve të garantuara për komunitetet në Kuvend. Votat e fituara nga subjektet politike “Ujedinjena zajednica Adrijana Hoxhiq” dhe “Romani iniciyativa” janë rezultat i një rritjeje të pazakontë të daljes së votuesve në zonat me shumicë serbe, ku janë fituar shumica dërrmuese e votave përkatëse të këtyre dy subjekteve.

Madje, në rastin e votave të subjektit politik nga komuniteti rom, pikërisht si rezultat i votave të fituara në shumicë serbe, komuniteti rom do të jetë i përfaqësuar nga dy deputetë, me gjithë faktin se numri i banorëve të këtij komuniteti është disa herë më i vogël se i dy komuniteteve të tjera.

DnV-ja kërkon trajtimin e këtij fenomeni nga organet kompetente, në mënyrë që ai të mos shndërrohet në normë dhe precedent për subjektet e mëdha politike, që do të mund të krijonin subjekte “satelite” te komunitetet, duke tjetërsuar vullnetin e vërtetë të qytetarëve të komuniteteve përkatëse, e që do të minonte edhe arsyen e ekzistimit të vendeve të garantuara.