75 Mall Live Search
16:19 / E Enjte, 19 Gusht 2021 / OSH

DnV: Rrjedhja e informacioneve për kandidatët e komunave mund të dëmtojë imazhin e tyre

Demokracia në Veprim konsideron se rrjedhja e informacioneve konfidenciale për kandidatët gjatë procesit të certifikimit, para përmbylljes së tij përben shkelje.

Përmes një reagimi ata thanë se nxjerrja e këtyre informacioneve mund të dëmtojë imazhin e kandidatëve.

“Rrjedhja e informacioneve konfidenciale për kandidatët gjatë procesit të certifikimit, para përmbylljes së tij përben shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullës përkatëse zgjedhore”.

“Nxjerrja e këtyre informacioneve në publik, të cilat mund të jenë gjysmake apo të pasakta, mund të dëmtojë imazhin e kandidatëve dhe mund të ndikojë në perceptimin dhe orientimin politik të votuesve”, thuhet në reagimin e tyre.

Demokracia në Veprim kërkon nga KQZ-ja por edhe nga subjektet politike të garantojnë sigurinë dhe konfidencialitetin e të dhënave deri në vendimin për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, në mënyrë që këto të dhëna të mos keqpërdoren për përfitime politike apo për të dëmtuar kandidatë apo subjekte të caktuara.

Tutje, në këtë reagim sqarohet se në nenin 30, respektivisht 8, përcaktohet qartazi se Zyra duhet t’i mbajë konfidenciale të gjitha të dhënat mbi kandidatët, deri sa të njëjtit nuk certifikohen nga KQZ-ja.