10:42 / E Premte, 03 Maj 2024 / G T

“Do kthehem në Turqi”, Meriton Korenica për “luftën” në Superligë: S’kemi kohë për gabime, gara është e fortë!

Skuadra e Ballkanit është duke “luftuar” për titullin kampion në Superligën e Kosovës në futboll – dhe është në pozitën e parë me 63 pikë, dy më shumë se vendi i dytë, Llapi (61).

Meriton Korenica gjatë afatit të janarit u rikthye te klubi nga Suhareka për t’i ndihmuar djelmoshave të Ilir Dajës për të arritur titullin e tretë me radhë, shkruan Indeksonline

Në një interviste për Indeksonline, Korenica tha se skuadra e tij po shkon në rrugë të duhur për t’u shpallur kampion dhe se përvoja e krijuar brenda këtyre viteve do t’i ndihmojë mjaftueshëm drejt suksesit.

“Ka mbetur edhe shumë pak deri në fund, jemi në rrugë shumë të mirë. Shpresoj të vazhdojmë kështu”, tha fillimisht Korenica

“Gara është shumë e fortë, por ne po shkojmë vetëm veten tonë sepse nuk ka kohë për gabime, është fundi i kampionatit.

“Përvoja? Normal që na ndihmon, kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve me karakter shumë të fortë dhe fitues dhe jemi afër titullit të tretë me radhë”, u shpreh për Indeksonline Meriton Korenica

Korenica i cili gjatë verës së kaluar firmosi me klubin nga Liga e Parë e futbollit në Turqi, Manisa – do të kthehet pas përfundimit të sezonit sërish te bardhezinjtë, pasi ka kontratë edhe për një vjet.

Por, lojtari nuk e mohon ndryshimin e ekipit pasi të udhëtoj drejt Turqisë në kohën e verës.

“Unë kam kontratë edhe për një vjet në Turqi, pas sezonit këtu duhet të kthehem atje dhe më pas do shohim”, tha një nga lojtarët më të mirë në Superligën e Kosovës

Duke përfshirë gjithë sezonin aktual, Korenica zhvilloi 34 ndeshje, shënoi pesë gola dhe bëri tri asiste. Kujtojmë që vlera e tij në sajtin e njohur “Transfermarkt” shkon deri në 400 mijë euro./Indeksonline/

Periskopi