13:46 / E Premte, 08 Prill 2022 / A. M.

“Do shohim drogim masiv të të rinjve”/ Berisha: Rama e legalizon kanabisin për …

Sali Berisha në një konferencë për shtyp ditën e sotme ka folur si mjek duke dhënë arsyet se pse kanabisi është i dëmshëm për shëndetin e njeriut.

Kjo konferencë nga ish-kryeministri vjen pasi Edi Rama tha se do legalizohet kanabisi për arsye mjekimi pas vendimit të marrë nga vetë populli në Këshillimin Kombëtar.

Sipas Berishës, legalizimi i kanabisit do e bënte këtë bimë simbol të Shqipërisë. Ai tha se Rama e përdor për klientelën e vet kriminale.

Po ashtu ish-kryeministri tha se me këtë vendim do të shihnim drogim masiv të të rinjve.

“Të legalizosh kanabisin në Shqipëri, vend i identifikuar në mënyrë të përsëritur në media botërore si Kolumbi e Europës, do të thotë të shkelmosh repucationin e këtij vendi, ta bësh kanabisin simbol të Shqipërisë, e cila në biodiversitetin e saj në speciet e bimëve aromatike, ka bimë dhjetëra herë më të kushtueshme se kanabis me të cilat mund të ngrihet një industry e fuqishme kozmetike, parfume e kremra.

Dhe Edi Rama për shkaqe personale zgjedh kanabisin për ta bërë simbol të shqiptarëve. Unë e kuptoj që e bën për klientelën, keni për të parë plantacionet e vreshtat, do i vihet zjarr mollëve e frutave, për të mbjellë kanabis. Do sjellë investime e financime nga grupet kriminale e terroriste.

Unë u bëj thirrje shqiptarëve të kundërshtojnë dhe të mos mbështesin një politikë shkatërrimtare me legalizimin e kanabisit hiqet çdo barrikadë që ekziston për atë si një drogë e rrezikshme.

Do shohim drogim masiv të të rinjve dhe të popullatës. Një bimë analoge e tillë u legalizua në Jemen, çfarë pësoi Jemeni ta dini ju? Një shkatërrim masiv të plantacioneve të kafes, dhe zëvendësimin e tyre me kanabis. Shqipëria ka çdo pasuri, çdo mrekulli natyrore. Ideja për të krijuar para është një shërbim që Rama i bën klientelës së organizatave kriminale,” tha Berisha.