“Do ta pësosh më keq se Maduro!” Trump e paralajmëron, liderja e re venezuelase: Jemi gati për bashkëpunim
Zëvendësja e Maduros, Delcy Rodríguez, betohet si presidente e Venezuelës, disa orë pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, e paralajmëroi se do ta paguante shtrenjtë nëse nuk bën atë që është e drejtë, siç u shpreh ai.
Në një prononcim për The Atlantic të dielën, presidenti amerikan u zotua se çmimi që do të paguante Rodríguez do të ishte me gjasë më i lartë se ai i Maduros. Trump ka thënë më herët se SHBA-ja do ta drejtojë Venezuelën derisa të mundësohej një transicion i sigurt dhe i përshtatshëm. Ai ka premtuar, gjithashtu se kompanitë amerikane të naftës do të zhvendosen në vend për të riparuar infrastrukturën dhe për të gjeneruar të ardhura.
“Venezuela është një vend i vdekur aktualisht. Duhet ta risjellim në jetë. Dhe duhet të bëjmë investime të mëdha nga kompanitë e naftës për të rimëkëmbur infrastrukturën. Kompanitë e naftës janë gati. Do të shkojnë atje dhe do të rindërtojnë infrastrukturën”, tha Trump.
Pas paralajmërimit të Trumpit, presidentja në detyrë përcolli tone pajtuese, duke u shprehur e gatshme të bashkëpunojë me SHBA-në, siç tha ajo, mbi një agjendë të fokusuar te zhvillimi i përbashkët. Në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale, Rodríguez theksoi se qeveria e saj po i jepte prioritet vendosjes së marrëdhënieve të respektit me SHBA-në, pasi më herët kishte kritikuar atë që e quajti përvetësim të paligjshëm të resurseve të vendit, shkruan A2 CNN-i.
“Presidenti Trump, njerëzit tanë dhe rajoni ynë meritojnë paqe dhe dialog, jo luftë”, ishte mesazhi i saj.
Rodríguez, e cila ka shërbyer edhe si ministre e Naftës, është konsideruar si pjesëtarja më pragmatike e rrethit të brendshëm të Maduros. Ndërkohë, Nicolás Maduro pritet të shfaqet sot në një gjykatë të Nju Jorkut, pasi u kap së bashku me bashkëshorten e tij në një operacion të forcave speciale amerikane.
63-vjeçari përballet me akuza të tilla si sigurim i mbështetjes për grupe të mëdha të narkotrafikut, si Karteli i Sinaloas dhe Tren de Aragua. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha në fundjavë se SHBA-ja është në luftë me kartelet e drogës dhe jo me Venezuelën.

