08:43 / E Premte, 04 Maj 2018 / indeksADMonline

Do të ketë liberalizim apo jo? Nesër në BE dërgohet raporti final për vizat

Një delegacion i Bashkimit Evropian për dy ditë do të mbledhë fakte për ta hartuar më pas raportin final sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar nga autoritetet kosovare.

Vlerësimi i këtyre ekspertëve do të jetë vendimtar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Një delegacion i Bashkimit Evropian (BE-së), i nivelit teknik, ka mbërritur gjatë ditës së djeshme në Kosovë, me ç’rast ka nisur edhe mbledhjen e provave mbi atë se sa është punuar në drejtimin e luftës së krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ky delegacion, i udhëhequr nga Simon Mordue, zëvendësdrejtor gjeneral në Drejtorinë e Përgjithshme për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, gjatë së enjtes ka zhvilluar takim me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, si dhe me ministren e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha.

Pas takimit Qeveria e Kosovës njoftoi se Haradinaj para këtij delegacioni ka paraqitur të arriturat e ekzekutivit në sundimin e ligjit.

Me këtë rast i pari i Qeverisë tha se Kosova është gati për liberalizimin e vizave.