10:53 / E Shtunë, 20 Prill 2024 / Gj. Sh

Do të largohet nga Barcelona, ky është klubi i ardhshëm i Xavit

Drejtuesit e Barcelonës do të bëjnë një përpjekje të fundit për ta bindur që të qëndrojë, por Xavi e ka ndarë mendjen për t’u larguar në fundin e sezonit.

Trajneri spanjoll lajmëroi kohë më parë mbylljen e aventurës si trajner i skuadrës së zemrës në verë.

Dhe ashtu do të ndodhë, edhe pse dikush në klub ende mendon se mund ta bindë të heqë dorë nga vendimi për t’u larguar dhe të qëndrojë.

Ish-kapiteni i katalanasve, në rolin e trajnerit të parë prej 6 nëntorit të vitit 2021, i ka të qarta idetë e së ardhmes.

Shtypi iberik jep dy mundësi. E para quhet Ajax, me Xavin që pritet të marrë drejtimin e “Harkëtarëve” holandezë. Të cilët po kalojnë momente tepër të vështira.

Por nuk përjashtohet as fakti që 44-vjeçari mund të vendosë të pushojë një vit. Për të karikuar bateritë dhe për t’u rinisur më pas në një aventurë ndryshe.

Ish-mesfushori i madh shijoi çdo trofe si futbollist me Barcelonën e tij të dashur, ndërkohë që si trajner ka fituar një titull (2023) dhe një Superkupë Spanje (2023).