11:29 / E Hënë, 28 Shtator 2020 / indeksADMonline

Do të nënshkruhet marrëveshja për bashkëprodhime filmike, midis Kosovës e Shqipërisë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimet e Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, për kalendarin e përbashkët kulturor midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, i cili nënshkruhet nga dy ministritë respektive të Kulturës.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar gjithashtu edhe Marrëveshjen e cila do të nënshkruhet për bashkëprodhime filmike midis Kosovës e Shqipërisë, e cila do të mundësojë bashkëpunimin mes Qendrës Kinematografike të Kosovës me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, që do të shërbejë në prodhimin e filmit dhe forcimin e mëtejmë të lidhjeve kulturore dhe etnologjike midis dy vendeve. Me këtë marrëveshje parashihet edhe ndarja e përbashkët e çmimeve për fushën e kinematografisë.

Gjithashtu, është miratuar edhe Memorandumi i bashkëpunimit, i cili do të nënshkruhet midis Kosovës e Shqipërisë për veprimtarinë botuese dhe librit me qëllim të rritjes së shkëmbimit kulturor në këtë fushë, të qarkullimit të librit dhe të bashkëpunimit të bibliotekave kombëtare të të dyja vendeve.

Edhe në fushën e sportit, Qeveria, miratoi propozimin e ministres Dumoshi për memorandumin Ligën Unike në Basketboll, e cila do të jetë një mbështetje institucionale për themelimin e një lige të përbashkët në basketboll

Ministrja Dumoshi, me rastin e miratimit të propozimeve të MKRS-së nga ana e Qeverisë tha se janë vendime të cilat do të ndikojnë në rritjen e bashkëpunimit konkret të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e kulturës.

“Me vendimet të cilat ka miratuar Qeveria në mbledhjen e sotme, Kosovës dhe Shqipërisë i hapet rruga për shkëmbimin e përvojave në fushat e kinematografisë, të librit dhe aktiviteteve të tjera kulturore që institucionet te ne dhe në Shqipëri i planifikojnë për t’i zhvilluar me qëllim të kultivimit të vlerave të mirëfillta kombëtare dhe me këtë rast dua ta falënderoj Qeverinë e Hotit për miratimin e këtyre nismave”, u shpreh ministrja Dumoshi.