20:21 / E Martë, 21 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Do të protestohet kundër EULEX-it, ofendoi ish-guerilët e UÇK-së

Një kronikë me fakte të tjera të realizuar nga ekipi i emisionit “Udhëve”, që shpërfaq mënyrën skandaloze të komunikimit të gjyqtarëve të EULEX-it, në drejtim të personave të dënuar në rastet “Drenica” e “Kleçka”, u transmetua mbrëmë në edicionin qendror të lajmeve në RTK.

Ndaj termeve ofenduese si “kafshë” dhe kalkulimet e tyre politike në ndarjen e drejtësisë, sot pati edhe reagime. Madje organizatat e dala nga lufta e UÇK-së paralajmërojnë edhe protestë kundër EULEX-it.

Drejtues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së paralajmërojnë protestë kundër EULEX-it. Ata e cilësojnë skandaloz komunikimin e gjyqtarëve të EULEX-it, të cilët ish-luftëtarëve të UÇK-së u referohen si kafshë.

“Një gjyqtar ndërkombëtar, i cili i quan pikërisht rastin Drenica prestarët e UÇK-së kafshë ju thotë lopë mu me vjen keq prej Bashkimit Evropian që çojnë kësi prokuror që janë lopë vet dhe unë kisha kërku prej gjitha institucioneve të Kosovës prej qytetarëve të Kosovës e sidomos prej veteranëve të luftës që të reagojnë ndaj këtij veprimi që e ka ba një gjyqtar ndërkombëtar.

Unë e kame thirr një mbledhje për ditën e enjte dhe besoj se shumë shpejt do të mobilizohemi dhe në do të bëjmë një protestë gjithëpopullore që ju ka ba ky ofendim gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Hysni Ngucati nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Reagime vijnë edhe nga njerëz të universitetit. Profesori Milazim Krasniqi thotë se publikimi i këtyre fakteve , do të duhej të çonte së paku në lirimin e të dënuarve. Sipas tij, ata janë abuzuar nga EULEX-i.

“Ti quash kafshë ish ushtaret e UÇK-së ti dënosh për t`ia ba qejfin Serbisë në procesin e dialogut, ky është poshtërim që i është bërë jo vetëm Kosovës po mbarë kombit shqiptar, prandaj mendoj personalisht se duhet të bëhet në lirimi i menjëhershëm i të dënuarve që janë viktima të këtij abuzimi të EULEX-it. E dyta do të duhet të organizohet një protestë gjithëpopullore të organizuar na të gjitha partitë politike dhe nga të gjitha shoqatat në mënyre që t’i jepet një mesazh përfundimtar se kjo dhunë më nuk lejohet”, thotë Krasniqi.

Një gjuhë e tillë ofenduese nga zyrtarë të EULEX-it ndaj qytetarëve, është e ditur, konsideron Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

“Është një ndër parimet kryesore edhe gjatë gjykimit, por edhe gjatë dënimit që të respektohet dinjiteti i atij që gjykohet edhe i atij që është në vuajtje të dënimit, këtu kemi një shpërfillje të madhe të dinjitetit, një fyerje që ai nuk do të kishte guxuar të përdorte në vendin nga ka ardhë po të ne bëjnë çka të duan se ndërkombëtarët të ne kanë imunitet, s’kanë përgjegjësi”, tha Shala.

Reagime ka pasur edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile si dhe nga avokatët mbrojtës të dënuarve në rastin “Drenica 2”.