75 Mall Live Search
11:29 / E Enjte, 29 Prill 2021 / Blerim

Do të rrahet me kampionin e shumëfishtë botëror, James Kraft po stërvitet me Haxhi Krasniqin dhe vëllain e tij

Boksieri kosovar, James Kraft (Musa Avdimetaj) para dy dite ka zyrtarizuar meçin e radhës. Ai do të luftoj me kampionin e shumëfishtë botëror, Felix Sturm në Hamburg të Gjermanisë më 19 qershor.

Sturm është 42-vjeçar dhe ka mbi supet e tij rreth 50 luftëra, me 41 fitore (18 me nokaut) dhe 5 humbje (1 me nokaut).

Në një intervistë për IndeksOnline, rreth këtij meçi ka folur vëllai i Jamesit, Toni Kraft (Safet Avdimetaj).

Ai tregon se James po merr ndihmë nga kampioni i botës, Haxhi Krasniqi dhe po stërvitet së bashku me ekipin e tij.

“Neve po na përkrah Haxhi Krasniqi shumë. James do të stërvitet së bashku me Krasniqin dhe ekipin e tij. Ai do të stërvitet edhe me trajnerin e njohur, Magomed Scharburow, i cili është trajner edhe i Krasniqit”, ka thënë Toni

Boksieri kosovar, Toni Kraft thotë se Sturm është një boksier me përvojë të madhe, por beson shumë te vëllai i tij.

“Kundërshtari, Felix Sturm, ka një emër të madh. Ka qenë kampion botëror i shumëfishtë. Ka përvojë të madhe. Por tani ai është 42-vjeçar. Do të jetë shumë vështirë, por pa rrezikuar s’ke çka futesh në këtë biznes. Jamesi dëshiron ta bëjë këtë hap, ishalla ia arrin me sukses dhe e shohim në maje”, vazhdoi për IndeksOnline boksieri kosovar

James Kraft (24-vjeçar) gjatë karrierës së tij ka bërë 20 luftëra. Ai ka 19 fitore (10 me nokaut) dhe një barazim. Meçin e fundit e zhvilloi në shkurt, duke mposhtur Malkhaz Sujashvili./IndeksOnline/