75 Mall Live Search
11:23 / E Enjte, 05 Shtator 2024 / k.v

Do të urdhërohet sjellja e dëshmitarit me detyrim, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj drejtorit të Arsimit në Rahovec

Për shkak se dëshmitari Refki Kryeziu mungoi pa arsye, ka dështuar të mbahet të enjten seanca në Gjykatën Themelore në Gjakovë, në rastin ku Avni Morina në cilësi të drejtorit të Arsimit në Rahovec po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ndaj Kryeziut, do të urdhërohet sjellja me detyrim në seancë.

Sipas gjyqtarit Ilir Rashkaj, dëshmitari Kryeziu është ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e ka arsyetuar raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Morina, avokati Dardan Morina i propozoi gjykatës që kjo seancë të ndërpritet dhe të shtyhet për një datë tjetër. Propozoi që të ndërmerren veprimet ligjore që të sigurohet prania e dëshmitarit në seancën e radhës.

Ndërsa, prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni tha se nuk e kundërshton propozimin për shtyrje të seancës ngase gjykata kishte aprovuar dëgjimin e këtij dëshmitari.

Prokurorja kërkoi nga gjykata që në seancën e radhës të shikohet edhe mundësia për revokimin e aktvendimit për dëgjimin e dëshmitarit Kryeziu, pasi që i njëjti është dëgjuar pranë kësaj gjykate.

Në fund, gjyqtari Rashkaj tha se për sigurimin e pranisë së dëshmitarit Refki Kryeziu, gjykata do të urdhërojë Stacionin Policor të Kosovës për sjellje me detyrim.

Në këto rrethana, seanca e radhës u caktua për një datë tjetër.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Avni Morina po akuzohet se nga muaji janar-qershor të vitit 2021, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Rahovec, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës Xhevahire Hajda, dhe buxhetit të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që i njëjti në zyrën e tij, iu ka mundësuar Refki Kryeziut-profesor në lëndën e Edukatës Fizike në SHMTP “Selajdin Mullabazi” në Rahovec dhe të dëmtuarës së lartcekur që të nënshkruajnë një marrëveshje-deklaratë të përbashkët, të njëjtën e vërteton me vulë zyrtare.

Sipas aktakuzës, nga kjo marrëveshje ka përfituar Refki Kryeziu që të marrë pagën e plotë mujore janar-qershor, pa dalë fare në punë, po ashtu dhe shtesat për COVID-19 në shumë prej 100 euro çdo muaj. Gjatë kësaj kohe sipas kësaj marrëveshje, e dëmtuara Xhevahire Hajda, e kishte zëvendësuar të njëjtin pa përfillur procedurat ligjore për rekrutim, ashtu që pa kontratë i ka mbajtur 26 orë mësimore, duke mos figuruar fare në listën e pagave dhe për muajt janar-shkurt, nuk paguhet fare.

Në aktakuzë thuhet se e dëmtuara nga muaji mars-qershor ishte paguar në mënyrë private nga profesori Refki Kryeziu.

Për këto, i pandehuri Avni Morina po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi i parë i Kodit Penal.