12:35 / E Martë, 03 Tetor 2017 / indeksADMonline

“Do vdisni të gjithë këtu”, paralajmërimi i frikshëm i gruas para masakrës së Las Vegasit (Video)

“Do të vdisni të gjithë. Ata janë këtu”. Këto janë fjalët e një gruaje, e cila është shprehur e lebetitur vetëm pak përpara se të niste sulmi me armë në Las Vegas.

Një grua ka dalë nga turma duke ulëritur dhe rreth 45 minuta – 1 orë më pas, ndodhi një nga masakrat më të mëdha në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas paralajmërimit të frikshëm dhe histerik, gruaja dhe një person tjetër që e shoqëronte, u nxorën jashtë nga koncerti, me ndihmën e forcave të sigurisë.

Rreth një orë më pas, 64-vjeçari Stephen Paddock hapi zjarr dhe mbi 50 persona vdiqën në vend.

Dëshmitarja në vendngjarje, Brianna Hendricks tha për “Indipendent” se gruaja, përpara se të shpërthente në histerizma dhe të bënte paralajmërmimin e kobshëm, ishte sjellë në mënyrë misterioze.

Brianna Hendricks kishte shkuar në Las Vegas për të festuar ditëlindjen e saj të 21-të.

Ajo tha për mediat amerikane:

“Ishte një grua, e cila vraponte dhe luante me flokët e njerëzve, vepronte në mënyrë të çuditshme dhe na tha se do të vdisnim të gjithë. “Ata janë këtu dhe të gjithë do të vdisni”. Kështu na tha. Më pas thoshte se i dashuri i saj nuk po merrte më frymë. Ishte shumë e frikshme. Dukej sikur ajo grua po na paralajmëronte dhe e dinte mirë se çdo të ndodhte”.

E reja Hendricks u kthye në hotelin Mandalay rreth 15 minuta përpara  se të niste gjithçka dhe pa gjithë skenën e tmerrshme nga dhoma e saj e hotelit. Gruaja u përshkrua si hispanike, në mesomoshë dhe me flokë kaf.