75 Mall Live Search
11:24 / E Premte, 15 Dhjetor 2023 / L K

Dobruna demanton opozitën: Kjo është e vërteta për buxhetin e komunës së Gjakovës të dhënë nga Qeveria Kurti

Agon Dobruna, zëvëndësministër i Financave në Qeverinë e Kosovës ka demantuar opozitën për shpërndarjen e buxhetit për vitin 2024 në Komunën e Gjakovës.

Dobruna nga Partia Alternativa ka thënë se në ligjin për buxhetin e vitit 2024, Qeveria Kurti ka përfshirë mbi 90 projekte kapitale/infrastrukturore nga niveli qëndror, si grant qeveritar tek niveli komunal në Gjakovë.

“Shpërndarja e buxhetit të Republikës në Ligjin për Buxhet të vitit 2024, tregon një pamje krejtësisht të ndryshme nga ajo që shumë përfaqësues të partive opozitare po e thonë në publik.
Po e marr shembullin e Komunës së Gjakovës: në ligjin për buxhetin e vitit 2024, Qeveria Kurti ka përfshirë mbi 90 projekte kapitale/infrastrukturore nga niveli qëndror, si grant qeveritar tek niveli komunal. Zgjerimi i rrugës Dollc – Gjakovë në vlerë prej 10 milion euro, ndërtimi i rrugës Dalja për Pejë, pjesë e Qarkorës së Qytetit në vlerë prej 1.3 milion euro, ndërtimi i qarkores së Gjakovës në vlerë prej 700,000 euro, ndërtimi i Urës në fshatin Rogovë të Komunës së Gjakovës 900,000 euro, ndërtimi i shkollës në fshatin Damjan, Gjakovë, vitin 2023 janë 302,613 euro të shpenzuara nga granti qeveritar, e në vitin 2024 jane ndarë edhe 406,485 euro të tjera dhe kështu me radhe.
Pra janë vetëm disa nga projektet për të cilat ka një parashikim të qartë në projektin buxhetor të hartuar nga Ministria e Financave. 32.4 milion është totali i investimit nga granti qeveritar për Komunën e Gjakovës në vitin 2024, e kjo është 86.4% i buxhetit total të komunës. Jo vetëm që e pavërtetë, por me një numër kaq të madh të projekteve për komunën e Gjakovës, Qeveria Kurti është qeveria parë jo vetëm që nuk diskriminon por e afirmon trajtimin e dinjitetshëm të secilit projekt e të secilës hapsirë të Komunës së Gjakovës. Ka kaluar koha e diskriminimit të bazuar në parti e të afirmimit të personazheve individuale përmes instrumentit të buxhetit publik. Ashtu vepronin partitë që ishin edhe të vogla në numër e edhe të pasigurta në orientim. Qeveria Kurti është qeveri e shumicës dërrmuese të qytetarëve të Republikës së Kosovës, andaj edhe nuk vepron duke ndarë, përqarë e trajtuar në mënyrë të pabarabartë” shkruan Dobruna në reagim./Indeksonline/