75 Mall Live Search
17:01 / E Mërkurë, 06 Dhjetor 2023 / S Z

Dodik del para gjykatës për sfidimin e të dërguarit ndërkombëtar Schmidt

Udhëheqësi nacionalist serb-boshnjak, Milorad Dodik,  ka dalë para gjykatës të mërkurën i akuzuar për refuzimin e njohjes dhe pranimit të vendimit të të dërguarit ndërkombëtar që mbikëqyr paqen në Bosnje, Christian Schmidt.

Dodik, i cili është president i zonës me shumicë serbe të Bosnje-Hercegovinës, kundërshton autoritetin e Christian Schmidt.

Sipas marrëveshjes së Dejtonit të ndërmjetësuar nga ShBA-ja, që i dha fund luftës në Bosnje në vitet 1990, Schmidt mund të anulojë ligjet ose të shkarkojë zyrtarët që kërcënojnë paqen.

Më shumë se 100,000 njerëz vdiqën gjatë luftës civile 1992-95. Më pas, Bosnja u nda në dy rajone gjysmë autonome, Republika Sërpska me shumicë serbe dhe Federata Boshnjako-Kroate.

Gjyqi i së mërkurës është kulmi i një beteje vullnetesh që filloi kur Christian Schmidt u bë përfaqësues i lartë ndërkombëtar dy vjet më parë.

Paraardhësi i tij, Valentin Inzko, vendosi kompetencat e tij të gjera ekzekutive vetëm një herë, pikërisht në fund të 12 viteve të tij në detyrë. Por  Schmidt ka qenë i etur për të imponuar autoritetin e tij që në fillim, dhe Milorad Dodik ka qenë po aq i prirur për ta sfiduar atë.

Udhëheqësi 64-vjeçar  ka prezantuar një sërë ligjesh që janë përpjekur të delegjitimojnë institucionet kombëtare të Bosnjës në Republika Sërpska. Objektivat kanë përfshirë organet tatimore, gjykatat dhe pronat shtetërore.

Ai gjithashtu e ka ndaluar  Schmidt të hyjë në rajon, edhe pse i dërguari që atëherë ka vizituar territorin me shumicë serbe.

Nëse shpallet fajtor në këtë gjyq të paprecedentë, Dodik mund të përballet me deri në pesë vjet burg, si dhe një ndalim nga politika, shkruan BBC, transmeton Klankosova.