Dodik dënohet me akt të formës së prerë për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë

Millorad Dodik, presidenti i entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Serbe, është dënuar me vendim të formës së prerë të premten, më 1 gusht, për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë, merr vesh Radio Evropa e Lirë.
Aktgjykimin e ka shpallur trupi gjykues prej tre anëtarësh, i përbërë nga Amella Huskiq, Vesna Jesenkoviq dhe Hillmo Vuçiniq.
Ky trup gjykues e ka konfirmuar aktgjykimin e shkallës së parë të 26 shkurtit, me të cilin Milorad Dodik është dënuar me një vit burgim dhe ndalim prej gjashtë vjetësh për ushtrimin e funksioneve politike.
Kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës kanë ushtruar ankesë si ekipi juridik i Dodikut, ashtu edhe Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës.
Prokuroria ka kërkuar ashpërsimin e dënimit me burg, si dhe zgjatjen e ndalimit për ushtrimin e funksioneve, ndërsa mbrojtja ka kërkuar anulimin e aktgjykimit.
Dodik është shpallur fajtor për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që më herët ishin anuluar nga Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.
Me këto ligje, organet legjislative të Republikës Sërpska kishin tentuar të pengonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës dhe të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e këtij entiteti.
I pandehuri i dytë në këtë proces, Millosh Llukiq, ushtrues detyre i drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së, i cili kishte publikuar ligjet kontestuese, është shpallur i pafajshëm në shkallën e parë.
Menjëherë pas aktgjykimit të shkurtit, Kuvendi Popullor i RS-së miratoi një mori ligjesh që parashihnin heqjen e kompetencave të institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe sigurisë në territorin e RS-së, ndërsa ndaj Dodikut, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës shpalli një urdhërarrestim në mes të marsit, nën dyshimin për sulm ndaj rendit kushtetues.
Për të njëjtat dyshime, është lëshuar urdhërarrestim edhe për Radovan Vishkoviqin dhe Nenad Stevandiqin, përkatësisht kryeministrin e Republikës Sërpska dhe kryetarin e Parlamentit të këtij entiteti.
Megjithëse urdhrarrestimi nënkupton që të gjitha agjencitë policore në vend duhet t’i arrestojnë dhe t’i dorëzojnë në kompetencë të organeve shtetërore të drejtësisë, një gjë e tillë nuk ndodhi në muajt që pasuan.
Në fillim të korrikut, Milorad Dodik u paraqit vullnetarisht në Prokurorinë e Bosnjë e Hercegovinës, i shoqëruar nga avokati i tij, Goran Bubiq. Atij iu hoq masa e paraburgimit dhe iu caktua detyrimi për paraqitje të herëpashershme para një organi shtetëror.
Pak ditë më vonë, Vishkoviq dhe Stevandiq, po ashtu u paraqitën vullnetarisht në Gjykatë dhe edhe atyre iu hoq masa e paraburgimit./Indeksonline/