Dodik në Hungari, Bosnja refuzon hyrjen e ministrit të Jashtëm hungarez në Banja Llukë
Ministri i Mbrojtjes i BeH Zukan Helez refuzoi sot të jepte pëlqimin për uljen e një aeroplani ushtarak hungarez në aeroportin e Banja Llukës, i cili supozohej të sillte kryediplomatin hungarez Peter Szijjarto, ndërkohë që ish-kreu i Republikës Serbe Milorad Dodik ndodhet për vizitë në Budapest.
Helez shkroi në mediat sociale se vendimi u mor për shkak të mungesës së një shpjegimi të qartë se pse ministri i jashtëm hungarez do të mbërrinte në Bosnjë e Hercegovinë me një aeroplan ushtarak, dhe jo me një aeroplan civil, raporton KosovaPress.
Ministri i Mbrojtjes i BeH, sipas autoritetit të tij, miraton fluturimet dhe uljet e aeroplanëve ushtarakë mbi dhe brenda territorit të BeH.
Ai gjithashtu theksoi se Hungaria vazhdimisht i ka ofruar mbështetje të hapur politike Milorad Dodik, ish-presidentit të entitetit Republika Serbe dhe veprimeve të tij që Helez i vlerësoi si të dëmshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH.
“Për vite me radhë, kryeministri hungarez Viktor Orban dhe ministri Szijjarto i kanë dhënë mbështetje të hapur Millorad Dodik në veprimet e tij që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha Helez.
Ai theksoi se detyrimi i tij si Ministër i Mbrojtjes është të mbrojë rendin kushtetues dhe ligjet e shtetit.
Hungaria deklaroi më parë se nuk e njeh vendimin e Gjykatës së BeH që dënoi Dodik në gusht me një vit burg dhe një ndalim gjashtëvjeçar nga mbajtja e posteve publike.
Ditën që Helez refuzoi të jepte pëlqimin që ministri Szijjarto të mbërrinte në Bosnje me aeroplan ushtarak, Dodik u takua me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban në Budapest.

