22:53 / E Martë, 27 Qershor 2023 / shkelqim osmanaj

Dodiku dhe Cvijanoviqi i vënë veto heqjes së vizave me Kosovën

Deputetët e Asamblesë Kombëtare të Republika Sërpskas (NSRS) mbështetën veton e kryesueses së Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq për pauzimin e marrëveshjes me Kosovën për kalimin e kufirit vetëm me letërnjoftim.

Kjo u votua në seancën e nëntë të posaçme të NSRS dhe nga 64 të pranishëm, 64 prej tyre votuan pro. Pas vetos së miratuar, në sallë ka pasur duartrokitje nga deputetët të cilët besojnë se në kohën kur po zhvillohen tensione në Kosovë, nuk ka pse t’u lehtësohet hyrja në Bosnje dhe Hercegovinë.

Cvijanoviq, në fjalën e saj hyrëse lidhur me kërkesën për bllokimin e lehtësimeve për shtetasit e Kosovës, theksoi se ky vendim është në fakt qëndrimi i RS-së ndaj situatës aktuale në Kosovë.

“Nëse kjo do të miratohej, të gjithë do të duhej të pyesnin veten pse ne e shpërblejmë dikë me lirinë e lëvizjes me letërnjoftime dhe ata bëjnë atë që bëjnë në Kosovë”, tha Cvijanoviq, që është serbe e BeH-së.

Marrëveshja për lëvizjen me letërnjoftime, njohjen e diplomave dhe kualifikimet profesionale mjekësore u miratua njëzëri nga Këshilli i Ministrave të BeH-së, gjegjësisht u mbështet edhe nga ministrat serbë, siç ishte rënë dakord më parë në takimin për Procesin e Berlinit. Marrëveshja u nënshkrua me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nga Zoran Tegeltija, asokohe kryetar i Këshillit të Ministrave të SNSD-së, por, siç shkruan mediumi boshnjak “Klix.ba”, Dodiku e ndryshoi mendjen për marrëveshjen pasi u shfaqën tensionet e para në Kosovë vitin e kaluar.

Në fjalimin e saj, Cvijanoviq tha se tani duhet gjetur një mënyrë për të miratuar marrëveshje me shtetet tjera, përkatësisht për të përjashtuar Kosovën prej saj.