75 Mall Live Search
17:18 / E Premte, 17 Prill 2026 / MSH1

Dogana, apel bizneseve: Përditësoni të dhënat në ARBK, për të shmangur vonesat në import

Dogana e Kosovës ka njoftuar të gjithë importuesit dhe subjektet prodhuese se duhet të sigurojnë paraprakisht regjistrimin e saktë të veprimtarisë së tyre prodhuese në Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.

Kjo do të bëhet për të shmangur pritjet dhe vonesat gjatë përfitimit nga lirimet doganore.

Sipas njoftimit, kjo është veçanërisht e rëndësishme për bizneset që synojnë të përfitojnë nga lirimet nga detyrimet doganore në kuadër të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për linjat dhe makineritë e prodhimit (procedura LMP).

Dogana thekson se përditësimi i saktë i të dhënave të biznesit sjell disa përfitime kryesore: lehtëson shqyrtimin e kërkesave për lirim nga detyrimet, shmang vonesat gjatë procedurave të zhdoganimit, si dhe përshpejton procesin e trajtimit doganor.

Institucioni u bën thirrje të gjitha bizneseve që, përpara dorëzimit të deklaratës doganore, të verifikojnë dhe sipas nevojës të përditësojnë veprimtarinë e tyre në ARBK, në përputhje me natyrën e pajisjeve apo makinerive që importohen për qëllime prodhimi.

Në të kundërtën, nëse një biznes nuk e ka të regjistruar saktë veprimtarinë prodhuese, mallrat mund të përballen me vonesa deri në përditësimin e duhur të regjistrimit. Sipas Doganës, kjo situatë nuk është në interes as të institucionit dhe as të vetë bizneseve.