75 Mall Live Search
11:47 / E Enjte, 04 Shtator 2025 / F.R

Dogana e Kosovës ndalon 275 njësi lodrash për fëmijë

Në kuadër të inspektimeve në tregun e brendshëm, Dogana e Kosovës ka ndaluar 275 njësi lodrash për fëmijë, për të cilat ekziston dyshimi se cenojnë të drejtat e autorit dhe të pronësisë intelektuale.

Sipas komunikatës të Doganës në Facebook, kontrollet janë realizuar në bashkëpunim me Inspektoratin e Tregut dhe në koordinim të plotë si pjesë e Task forcës kundër piraterisë.

Si rezultat i këtyre veprimeve, janë ndaluar nga qarkullimi produktet që dyshohet se janë të falsifikuara, duke siguruar mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të pronësisë intelektuale.

“Dogana e Kosovës dhe Inspektorati i Tregut mbeten të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, si edhe do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me institucionet zbatuese të ligjit për të parandaluar dhe luftuar në mënyrë efikase fenomenin e piraterisë dhe falsifikimit në tregun e brendshëm”, thuhet në komunikatë.