Dogana e Kosovës parandalon tentativë për mashtrim me origjinën e mallrave nga Rusia, ndalohen mbi 130 tonë pleh kimik

Sipas njoftimit zyrtar, një subjekt ekonomik kishte tentuar të importojë pleh kimik me origjinë nga Federata Ruse, duke e prezantuar atë si produkt me origjinë nga Serbia.
Kjo përpjekje për manipulim u bë pavarësisht se Dogana e Kosovës e kishte njoftuar më herët me shkrim kompaninë se importi i këtij produkti ndalohet, në përputhje me sanksionet ndërkombëtare ndaj Federatës Ruse.
Për të shmangur ndalimin, kompania kishte ambalazhuar mallin në thasë që mbanin emërtimin e një prodhuesi serb, duke u përpjekur ta paraqesë mallin si të lejuar për import.
Dogana ka vepruar me kohë dhe ka ndërhyrë në momentin e hyrjes së mallit në kufi, duke e ndaluar dërgesën. Përmes një Aktvendimi të kundërvajtjes, subjekti është urdhëruar të kthejë menjëherë mallin jashtë territorit të Kosovës.
Ky rast konsiderohet një sukses i rëndësishëm në përpjekjet e Doganës së Kosovës për të zbatuar sanksionet ndërkombëtare, si dhe për të mbrojtur tregun vendor nga praktikat mashtruese.
Dogana e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për zbatim të ligjit, transparencë dhe integritet në tregtinë ndërkombëtare, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për shmangie apo manipulim do të trajtohet me seriozitet dhe masa ligjore.
📞 Për raportime ose informacione, qytetarët mund të kontaktojnë Doganën e Kosovës në numrin pa pagesë: 0800 50 095