Dogana gjen mbi 400 artikuj fals, shumica farmerka “Diesel” dhe “Dsquared”

Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës sot në Gjilan ka sekuestruar mbi 400 artikuj të dyshuar për falsifikim.
“Sot, njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në vazhdën e aktiviteteve të tyre për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale (DPI), kanë realizuar një kontroll të targetuar tek një subjekt afarist në qytetin e Gjilanit. Kontrolli është ndërmarrë si rezultat i konfiskimeve të mëhershme të mallrave me marka tregtare të falsifikuara, të cilat përbëjnë shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale. Gjatë këtij kontrolli janë identifikuar dhe sekuestruar rreth 400 artikuj tekstil, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se janë produkte që cenojnë markat tregtare të mbrojtura me DPI”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.


Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër falsifikimit dhe mbrojtjen e tregut nga produktet që cenojnë të drejtën e ligjshme të pronarëve të markave tregtare, duke kontribuar kështu në sigurinë ekonomike dhe mbrojtjen e konsumatorëve.