75 Mall Live Search
16:35 / E Mërkurë, 22 Tetor 2025 / Z S

Dogana ndalon dhjetëra raste kontrabande gjatë muajit tetor

Dogana e Kosovës ka identifikuar dhe ndaluar një numër të konsiderueshëm të rasteve të kundërvajtjeve doganore gjatë muajit tetor.

Sipas një njoftimit nga Dogana bëhet e ditur se në kuadër të këtyre operacioneve janë zbuluar mallra të ndryshme të padeklaruara, të fshehura apo të shoqëruara me dokumentacion të pasaktë, me qëllim të shmangies së detyrimeve ligjore.

Postimi i plotë:

Si rezultat i kontrolleve në pikat kufitare dhe në territorin e brendshëm, Dogana e Kosovës ka identifikuar dhe ndaluar një numër të konsiderueshëm të rasteve të kundërvajtjeve doganore gjatë muajit tetor.

Në kuadër të këtyre operacioneve janë zbuluar mallra të ndryshme të padeklaruara, të fshehura apo të shoqëruara me dokumentacion të pasaktë, me qëllim të shmangies së detyrimeve ligjore.

Rastet përfshijnë mallra nga kategori të ndryshme si:

– Produkte tekstili, veshje dhe aksesorë mode, përfshirë produkte të dyshuara si të falsifikuara

– Produkte farmaceutike, kozmetike dhe mjete për ndërhyrje estetike, pa certifikim dhe dokumentacion të përshtatshëm për import

– Pajisje elektronike dhe mjete pune, si dhe pajisje teknologjike të ndryshme, të cilat nuk ishin të deklaruara në mënyrë të rregullt gjatë hyrjes në territorin e Kosovës

– Produkte ushqimore dhe të konsumit të përditshëm, si mish i përpunuar, vaj, bombola gazi dhe suplemente ushqimore në sasi të konsiderueshme

– Mjete monetare në sasi mbi kufirin e lejuar ligjërisht

– Lëndë narkotike, duhan dhe municion për armë të ndryshme, të gjetura në rrethana të dyshimta gjatë kontrolleve të thelluara

Vlera e përgjithshme e mallrave të ndaluara arrin shuma të larta, ndërsa ndaj personave të përfshirë janë iniciuar procedurat përkatëse administrative.

Dogana e Kosovës riafirmon përkushtimin për mbrojtjen e tregut dhe shëndetit të qytetarëve, si dhe për luftimin e kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme.

Ftojmë të gjithë qytetarët dhe bizneset të bashkëpunojnë dhe të respektojnë rregullat doganore për të siguruar një ambient të drejtë dhe të ligjshëm tregtar.