Dogana parandalon kontrabandë me mallra të ndryshme

Gjatë kontrolleve rutinore në Pikëkalimin Kufitar në Vërmicë, zyrtarët doganorë kanë identifikuar dy raste të kundërvajtjeve doganore.
Pas selektimit të dy automjeteve për kontroll të detajuar në vijën e dytë, janë zbuluar mallra të ndryshme të padeklaruara.
Në të dyja rastet, palët kishin mohuar posedimin e ndonjë malli për deklarim, por gjatë kontrollit janë gjetur mallra si: pjesë të përdorura për automjete, drita të përparme, parfum, çantë dore si dhe një pako me këpucë të llojeve të ndryshme (mall stoku).
Përveç çantës së dorës, për të gjitha mallrat tjera nuk është paraqitur faturë apo dokument përcjellës.
Të gjitha mallrat janë ndaluar përkohësisht, deri në përfundimin e procedurave të mëtejshme, ndërsa ndaj palëve janë inicuar procedura për kundërvajtje doganore, në përputhje me ligjin në fuqi.
Dogana e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët dhe udhëtarët që të respektojnë obligimet ligjore dhe të bëjnë deklarim të saktë të mallrave gjatë kalimeve kufitare, duke shmangur pasojat ligjore dhe ndihmuar në mbrojtjen e tregut të brendshëm.